OVL-UÇK: Institucionet mund të na quajnë kriminelë, por ta dinë se gjaku i dëshmorëve solli lirinë

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka kritikuar institucionet shtetërore për anashkalimin e veteranëve të luftës në seancën e sotme solemne për Ditën e Pavarësisë.

Lajme

17/02/2020 18:24

Duke uruar në emër të veteranëve të luftës së UÇK-së për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Gucati kujton se mbi 2000 pjesëtarë të saj ranë dëshmorë për lirinë e bashkim kombëtar, mijëra të tjerë mbeten invalidë, porse u anashkaluan nga institucionet në seancën solemne për 12-vjetorin e pavarësisë.

“Institucionet e dala nga vota e popullit dhe të akomoduar nëpër kolltukë falë sakrificave të popullit e të UÇK-së, paturpësisht anashkaluan Organizatën e Veteranëve të Luftës së shenjtë të UÇK-së, në seancë solemne për Ditën e Pavarësisë. Ata e këta mund të na anashkalojnë, të mos na njohin, të na quajnë edhe “kriminelë”, por një gjë duhet ta dinë se, lirinë dhe shtetësinë ua solli gjaku i dëshmorëve dhe sakrifica e veteranëve”, thuhet në reagim.

“Turpi nuk është si karamele, ai as hahet e as kapërdihet, por të turpëruarve u mbetet në fyt. Turpi qoftë mbi ata fytyrëmarroq që nuk e njohin, ruajnë e vlerësojnë gjakun e lirisë”,  përfundon reagimi i Hysni Gucatit. /Lajmi.net/