Osmani: Vuçiq po tenton ta destabilizojë Kosovën, nuk duhet ta lejojmë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është i interesuar që nëpërmjet bandave të tij kriminale ta destabilizojë Kosovës. Ajo ka theksuar se një veprim i tillë nuk duhet lejuar assesi. Këto komente e para e vendit i ka bëri në Samitin e dytë të Komunitetit Politik…

Lajme

01/06/2023 11:57

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është i interesuar që nëpërmjet bandave të tij kriminale ta destabilizojë Kosovës. Ajo ka theksuar se një veprim i tillë nuk duhet lejuar assesi.

Këto komente e para e vendit i ka bëri në Samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), me ç’rast ka theksuar se koordinimi me aleatët ndërkombëtarë është kyç për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po ashtu është shprehur se Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë, duke tentuar ta destabilizojë Kosovën dhe rajonin.

“Ne si rajon e në veçanti si Kosovë jemi përballë sfidave të tilla, sepse Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë në rajonin tonë duke tentuar ta destabilizojë Kosovën, por edhe shtetet tjera të rajoni. Kështu që, unë këtu sot për të kërkuar përkrahjen e partnerëve tanë ndërkombëtar që t’i luftojmë këto tendenca destabilizuese, që t’i luftojmë së bashku për sundim të ligjit dhe të parandalohet ndikimi edhe i propagandës por edhe i këtyre tendencave. Vuçiq është i interesuar që nëpërmjet bandave të tij kriminale të destabilizojë vendin tonë. Nuk duhet assesi të lejojmë një gjë të tillë, prandaj koordinimi me aleatët tanë, të cilët kanë qëndruar pranë nesh përgjatë kohëve më të vështira dhe përgjatë sukseseve tona është kyçe në mënyrë që të arrijmë bashkarisht edhe të shtensionohet situata, por edhe që të shtyjmë përpara ide e propozime, të cilat kontribuojnë për paqe e stabilitet”, ka thënë Osmani.

Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Të hënën (29) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.