Osmani: Vepra e unifikuesve të Alfabetit duhet të jetë udhërrëfyes i përhershëm për ne

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot 112-vjetorin e Kongresit të Manastirit.

Lajme

22/11/2020 16:40

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, në 112-vjetorin e Kongresit të Manastirit, është përulur para delegatëve të këtij kongresi, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Osmani, ka thënë se Kongresi i Manastirit apo siç njihet edhe Kongresi i Alfabetit, është njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të historinë kombëtare të shqiptarëve.

Ajo po ashtu ka thënë se, kjo ngjarje e cila në thelb të saj ishte kulturore, shumë shpejt Kongresi i Manastirit u shndërrua në njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme politike.

Postimi i plotë i Osmanit, pa ndërhyrje:

Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit, 112-vjetorin e të cilit e kujtojmë këto ditë, shënon njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare. Në thelb ngjarje kulturore, ai u shndërrua shpejt në njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme politike.

Duke e unifikuar alfabetin, delegatët e tij e unifikuan popullin shqiptar rreth një identiteti të përbashkët dhe e riorientuan atë përfundimisht drejt kulturës e qytetërimit perëndimor, pjesë e të cilit qemë prej shekujsh.

Sot i përulemi vizionit të delegatëve të Kongresit. Vepra e tyre për përbashkimin e shqiptarëve rreth vlerave identitare dhe qytetërimit perëndimor duhet të jetë udhërrëfyes i përhershëm për ne. /Lajmi.net/