Osmani: Të ndalet fushata linçuese, presim Vetëvendosjen të na ftoj në takim

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani ka folur para mediave lidhur me ecurinë e bisedimeve që partia e saj është duke zhvilluar me Vetëvendosjen.

Lajme

05/12/2019 16:01

Osmani ka thënë se mes partive duhet respekt reciprok në atë formë që bisedimet të vazhdojnë në mënyrë normale, shkruan lajmi.net.

Po ashtu, ajo ka bërë thirrje që të ndalen fushatat linçuese nga të dy palët.

“Është tejet me rëndësi që në një moment me rëndësi historike ku qytetarët kanë dëshmuar se dëshirojnë ndryshim përmes LDK dhe VV, tek ne mbetet që ta respektojmë atë vullnet. Respekti reciprok është i domosdoshëm dhe po ashtu është e rëndësishme të ndalen edhe fushatat linçuese, në mënyrë që të dy partitë kur të ulen në tryezë në një atmosferë pozitive”, ka thënë Osmani.

Osmani po ashtu ka bërë të ditur se po presin nga Vetëvendosje ta thërasin takimin e rradhës.

“Ne jemi të interesuar për bashkëpunim afatgjatë me VV-në. Për takim besoj se do të bëhet sa më shpejtë të jetë e mundur por nuk kemi ndonjë e saktë. Vetëvendosja si parti e parë presim që ta thërrasë takimin e radhës”, tha ajo.

Kujtojmë, se pikë ngecjeje në bisedimet mes LDK-së dhe VV-së u bë posti i presidentit, për të cilin partia e Isa Mustafës kërkon garantim se do të jetë i tyri.

Me këtë nuk po pajtohet në asnjë formë Vetëvendosje, teksa sipas tyre primare është plotësimi i pozitave boshe. /Lajmi.net/