Osmani takon Pelosin: SHBA është aleati më strategjik i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme është pritur në takim nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi.

Lajme

28/04/2022 19:07

Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se Osmani ka falënderuar Pelosin për mbështetjen e saj ndaj Kosovës edhe gjatë periudhës kur Kosova kishte më së shumti nevojë, shkruan lajmi.net.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, është pritur sot në takim nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi. Presidentja Osmani falënderoi Kryetaren Pelosi për mbështetjen e saj ndaj Kosovës për dekada me radhë, e sidomos në kohën kur Kosova kishte më së shumti nevojë përgjatë procesit të arritjes së lirisë e shtetësisë”, thuhet në komunikatë.

Tutje, shtohet se në takim është biseduar për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Komunikata e plotë:

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, është pritur sot në takim nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi.

Presidentja Osmani falënderoi Kryetaren Pelosi për mbështetjen e saj ndaj Kosovës për dekada me radhë, e sidomos në kohën kur Kosova kishte më së shumti nevojë përgjatë procesit të arritjes së lirisë e shtetësisë. Ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati dhe partneri më strategjik i Republikës së Kosovës dhe e njoftoi Kryetaren Pelosi për rreshtimin e qartë të Kosovës me politikat amerikane, në veçanti sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe mbështetjes ndaj Ukrainës. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për përkushtimin e vazhdueshëm të Kryetares Pelosi për t’i përafruar tutje dy vendet tona edhe sot kur kontinenti ynë po ballafaqohet me një kohë sfiduese dhe kur vlerat tona të përbashkëta demokratike dhe paqedashëse janë nën kërcënim. Ajo po ashtu potencoi rëndësinë e avancimit të rrugës euro-atlantike të Kosovës, tani që sfidat e sigurisë të krijuara nga regjimet autokratike janë gjithnjë e në rritje.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani dhe Kryetarja Pelosi diskutuan për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, si dhe për mundësitë për thellim të bashkëpunimit për t’i kapërcyer sfidat e përbashkëta në rajon dhe arenën ndërkombëtare.

 Në fund të takimit, Presidentja Osmani ftoi Kryetaren Pelosi që ta vizitojë Kosovën, duke e vlerësuar se një vizitë e tillë do kontribuonte edhe më tej në avancimin e raporteve të shkëlqyeshme e të veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. /Lajmi.net/