Osmani takohet me emisarin Peach, kërkon anëtarësim të Kosovës në NATO

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach. Zhvillimet e fundit në vend e rajon dhe dialogu me Serbinë kanë qenë disa nga temat e diskutimit. Osmani ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është i rëndësushëm për avancimin…

Lajme

29/11/2023 20:13

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach.

Zhvillimet e fundit në vend e rajon dhe dialogu me Serbinë kanë qenë disa nga temat e diskutimit.

Osmani ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është i rëndësushëm për avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut.

“Në takim u diskutua edhe për integrimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, si dhe anëtarësimin në NATO. Presidentja Osmani potencoi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli, e të cilat do të shërbejnë si mekanizëm shtesë për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim”, ka thënë Osmani, ka njoftuar Presidenca.

Ajo tutje ka nënvizuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke deklaruar se përfshirja e Kosovës në Partneritetin për Paqe është hap i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë.

“Në takim, Lord Peach përgëzoi Presidenten Osmani për përpjekjet e saj të vazhdueshme në avancimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë në këtë kohë sfiduese për paqen në botë”, njoftohet tutje.