Osmani: Shqetësuese rritja e trendit të rasteve të dhunës seksuale

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka prezantuar raportin monitorues “Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë”, i cili ofron një vlerësim preliminar për mënyrën se si i trajton sistemi i drejtësisë në Kosovë rastet e dhunimit.

Lajme

06/07/2022 16:04

Ky raport përfshin gjetje dhe rekomandime konkrete për autoritetet e Kosovës.

Në prezantimin e këtij raporti ishte edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu. Ajo ka përgëzuar EULEX-in për këtë raport, me ç’rast tha se institucionet janë duke punuar në këtë drejtim.

“Vendi ynë tashmë ka marrë përsipër një sërë obligimesh për të trajtuar dhunën ndaj grave, që dalin jo vetëm nga legjislacioni i brendshëm por veçanërisht nga Konventa e Stambollit, të cilën unanimisht e kemi bërë pjesë të Kushtetutës sonë. Zotimet e tilla ndërkombëtare nuk janë thjesht deklarative, në fakt na detyrojnë neve si shtet që të luajmë rol më proaktiv në parandalim si dhe në hetim dhe dënim mbi bazën e dhunës mbi baza gjinore”, tha presidentja Osmani.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, kërkoi angazhim ndërinstitucional për luftimin e kësaj dukurie. Tha se Policia e Kosovës ka disa prioritete gjatë trajtimit të këtyre veprave penale.

“Për të luftuar dhunën seksuale është e nevojshme marrja e një sërë veprimesh dhe masave esenciale dhe parandaluese nga institucionet për të përmirësuar perceptimin e shoqërisë ndaj kësaj kategorie si dhe duke mbështetur viktimat me vënien e kryerësve para përgjegjësitë. Policia e Kosovës ka disa prioritete gjatë trajtimit të këtyre veprave penale, në fillim në sigurimin dhe ofrimin e hetimit profesional ”, tha Mehmeti.