Osmani s’e përmend fare UÇK-në në shkrimin për Betejën e Koshares, kritikohet ashpër nga komentuesit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe sot në Koshare për nder të betejes së lavdishme të para 22 viteve ku u thye kufiri shqiptaro-shqiptar.

Lajme

09/04/2021 13:16

Mirëpo, në postimin njoftues të Osmanit, nuk është përmendur askund UÇK-ja, shkruan lajmi.net.

Ajo ka përmendur Brigadën 138 të Agim Ramadanit, mirëpo jo Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në kuadër të së cilës ishte edhe kjo brigadë.

Kjo në fakt nuk është as hera e parë që Osmani e bën një veprim të tillë, pasi që edhe në shumë fjalime publike ajo kishte injoruar tërësisht përmendjen e UÇK-së.

Sidoqoftë kjo nuk ka kaluar pa u përmendur nga komentuesit të cilët i kanë kërkuar Osmanit që ta pranojë realitetin dhe mos ta injorojë UÇK-në.

Postimi i plotë i Vjosa Osmanit: 

Thyerja e kufirit me Shqipërinë në Koshare nga Brigada 138, nën udhëheqjen e Agim Ramadanit e Sali Çekajt, 22 vjet më parë ishte kambana e lirisë.

Nga 9 prilli i vitit 1999 e deri më 10 qershor, në këtë vend si askund tjetër, trimat e kësaj Brigade, i dhanë goditjen përfundimtare regjimit gjenocidal serb, i cili në këtë datë shënoi kapitullimin.

Në këtë ditë nuk u hoq vetëm një gur kufiri, por u hoq edhe një pengesë emocionale ndërmjet motrave e vëllezërve në Kosovë e Shqipëri.

Liria mori kuptim kur trimat e Brigadës 138, e vulosën përfundimisht lirinë tonë, shtruan bazament të fortë për të ardhmen, shtetin dhe kujtesën historike.

Kësisoj Kosharja u shdërrua dhe vazhdon të jetë pelegrinazh lirie.

Aty u bashkuan trimëria me mendjen, sakrifica me idealin dhe përjetësia me lirinë!

Sot, përkulemi me dinjitet para varreve të këtyre trimave, të cilët mbrojtën dinjitetin, ekzistencën dhe trashëgiminë tonë!

Testamentin e tyre për shtetin do ta përmbushim çdo ditë, me përkushtim maksimal, për të ardhmen e brezave!

Nuk ka më gurë ndërmjet nesh, por ka veç rrugë, ka integrim, ka bashkëpunim ndërvëllazëror dhe kultivim të shpirtit liridashës!

Lavdi dhe kujtim i përhershëm për të gjithë ata që ranë për lirinë tone. /Lajmi.net/