​Osmani prej Samiti për Ukrainën: Kosova, nga zero në model të demokracisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po merr pjesë në Samitin e Paqes që po mbahet në Zvicër. Osmani nga atje u paraqit përmes një lidhjeje direkte në llogarinë e saj në “Facebook”, kur tha se Kosova i bashkohet thirrjeve të të gjithë atyre të cilët shtyjnë përpara konceptin e paqes së drejtë, atë të ndërlidhur…

Lajme

15/06/2024 14:47

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po merr pjesë në Samitin e Paqes që po mbahet në Zvicër.

Osmani nga atje u paraqit përmes një lidhjeje direkte në llogarinë e saj në “Facebook”, kur tha se Kosova i bashkohet thirrjeve të të gjithë atyre të cilët shtyjnë përpara konceptin e paqes së drejtë, atë të ndërlidhur me drejtësinë me viktimat që kanë vuajtur gjatë luftës.

“Siç e dimë nga përvoja e jonë e hidhur në Kosovë, nuk mjafton që thjeshtë paqen ta shohim si koncept të izoluar, pasi ajo në masë të madhe varet edhe nga drejtësia, drejtësia për viktimat, për ata që kanë vuajtur më së shumti gjatë luftës. Si Kosovë, besoj se jemi në pozicion me të gjithë të tjerët që marrin pjesë në këtë Samit që të ndajmë storjen tonë, tregimin e Kosovës si një shtet që është ndërtuar nga zero, si një shtet që ka vuajtur e sakrifikuar shumë. Megjithatë, jemi shndërruar në një model të demokracisë dhe aleancave të fuqishme”, tha Osmani.

Më tej, e para e shtetit tha se njësoj siç kanë qenë të domosdoshme aleancat që të shpëtohet Kosova nga regjimi gjenocidal, njësoj, sipas saj, është po aq e rëndësishme që tani kur po rrezikohet e gjithë arkitektura e sigurisë në Evropë nëpërmjet agresion rus, të qëndrojnë të gjitha vendet bashkë në njëjtat vlera e për t’i mbrojtur të njëjtat parime siç, sipas saj, janë mbrojtur në vitet e ’90-ta në Kosovë.

Osmani foli edhe për takimin që pati me presidenten e Zvicrës, Viola Amherd, me të cilën tha se diskutuan për mënyrat se si të rritet bashkëpunimi mes të dy vendeve, sidomos në fushën e mbrojtjes.