Osmani: Pavarësisht kush do t’i fitojë zgjedhjet, SHBA do të mbetet aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se pavarësisht se kush do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale demokratja, Kamala Harris apo republikani, Donald Trump, SHBA do të mbetet aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës. E pyetur për ndikimin e zgjedhjeve amerikane në Kosovë, e para e shtetit ka thënë se vendi ynë në…

Lajme

05/11/2024 12:16

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se pavarësisht se kush do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale demokratja, Kamala Harris apo republikani, Donald Trump, SHBA do të mbetet aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës.

E pyetur për ndikimin e zgjedhjeve amerikane në Kosovë, e para e shtetit ka thënë se vendi ynë në vazhdimësi e ka pasur mbështetjen e qeverisë amerikane pavarësisht se kush ka udhëhequr me Shtëpinë e Bardhë.

“E kemi fituar lirinë kur në qeverisje kanë qenë demokratët, derisa kur kemi fituar pavarësinë në qeveri kanë qenë republikanët. Pra, Kosova vërtetë ka qenë shtet i bekuar me përkrahje bipartizane (dypartiake) amerikane. Është vendim i popullit amerikan, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me këdo që do të zgjidhet. Me rëndësi është që SHBA-të vazhdojnë të jenë lider të botës së lirë dhe aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës. Ashtu do të vazhdojë të jetë edhe pas kësaj date”, ka theksuar Osmani në një deklaratë për media, pasi mori pjesë në lansimin e raportit të UNICEF-it mbi gjendjen klimatike për fëmijët në Prishtinë.

Ndryshe zgjedhjet presidenciale që po mbahen sot (e martë) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po konsiderohen të jenë historike.

Ndryshimi i mundshëm i administratës amerikane, pritet të ndikojë në qasjen e ShBA-së karshi problemeve globale, por edhe ndaj Kosovës. Atje sot votohet për presidentin e ri, ndërkaq sondazhet tregojnë për një garë të ngushtë.

Për zgjedhjet presidenciale, kandidatë janë Kamala Harris nga Partia Demokratike dhe Donald Trump nga Partia Republikane.

Kamala Harris është zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e demokratit Joe Biden.

Ndërkaq, Trump ishte president i SHBA-së në periudhën 2017-2021./Lajmi.net/