Osmani nga vetura drejt Drenasit e “thumbon” paksa Kurtin: Është me rëndësi që të gjithë të jemi sa më afër komunave

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka filluar sot një tur vizitash nëpër komuna në vend. Pas takimit që pati dje me kryetarët e komunave në vend, të prirë nga Kryetari i Asociacionit të Komunave në Kosovë, Agim Aliu, Osmani sot është nisur drejt Drenasit. Presidentja Osmani është lajmëruar përmes një video të realizuar gjatë rrugës…

Lajme

07/06/2024 10:49

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka filluar sot një tur vizitash nëpër komuna në vend.

Pas takimit që pati dje me kryetarët e komunave në vend, të prirë nga Kryetari i Asociacionit të Komunave në Kosovë, Agim Aliu, Osmani sot është nisur drejt Drenasit.

Presidentja Osmani është lajmëruar përmes një video të realizuar gjatë rrugës për në Drenas, ku ndër të tjerash foli edhe për njerëzit e Drenasit, duke thënë se na bëjnë krenar çdoherë.

Vizita të tilla Osmani kishte realizuar edhe më parë, por që këtë herë pati një porosi që ngjason se i drejtohet Qeverisë.

“Jemi rrugës për në Komunën e Drenasit, një nga komunat më të afërta nga Prishtina, komunë me një histori të jashtëzakonshme të njerëzve trima e trimëresha e guximtarë e njerëz që e kanë shkruar historinë e Kosovës. Njerëz që e kanë shkruar historinë që e jetojmë sot. Por edhe njerëz që kanë prosperuar e kanë ecur përpara, janë rilindur e na bëjnë krenar me suksete tyre kudo, qoftë ata ushtarë, në Polici, në biznese e shumë të tjera”, tha Osmani.

Pas takimit të djeshëm disa nga kryetarët e komunave janë shprehur se nuk kanë aspak komunikim me Qeverinë dhe se këta të fundit nuk po merren fare me problematikat që kanë komunat.

Madje është theksuar dukshëm mungesa e dialogut në mes komunave dhe Qeverisë.

E pas kësaj, presidentja Osmani tha sot se është me rëndësi që të gjithë të jenë sa më afër komunave.

“Sot do të takohemi me kryetarin Lladrovci, me gratë në biznes, me rininë, me organizata joqeveritare e do të vizitojmë biznese. Do të takohemi me qytetarë në kuadër të vizitave tona në komunat e Kosovës. Është me rëndësi që të gjithë të jemi sa më afër komunave që çdo ditë merren me hallet e qytetarëve e tentojnë t’i zgjidhin ato e që secili prej nesh të jap kontribut në këtë drejtim”, shtoi Presidentja Osmani.

Duhet përkujtuar që gjatë muajit të kaluar është vërejtur në publik një krisje e mundshme në mes Presidencës dhe Qeverisë.

Madje lidhur me këtë ishte deklaruar edhe vetë Osmani dhe Kurti.

Ky i fundit tha se si me Osmanin, Konjufcën apo ministrat mund të mos ketë pajtime, por se s’është diçka serioze./Lajmi.net/