Osmani në Zvicër takohet me bashkatdhetarë: Nuk shihen më vetëm si burim remitencash, por edhe idesh

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, është duke qëndruar në Zvicër dhe sonte u takua me mërgatën atje.

Lajme

02/03/2021 23:30

Ajo tha se diskutimi mes tyre u fokusua tek mundësia e bashkëpunimit në shumë fusha.

“Vizitën në Zvicër, ku po qëndroj me ftesë të Parlamentit zviceran, e fillova me një takim me mërgatën tonë, me ata që sado që tashmë në këtë vend kanë ndërtuar shtëpinë e familjet e tyre, mendjen e zemrën e mbajnë gjithmonë pranë Kosovës sonë të dashur. Nuk e përshkruaj dot me fjalë se çfarë nderi, privilegji e krenarie është të jesh në mesin e juristëve, mjekëve, shkencëtarëve, studiuesve, ndërmarrësve, artistëve, arkitektëve e profestionistëve të fushave nga më të ndryshme të cilët po shkëlqejnë në profesionet që kanë përzgjedhur e po japin kontribut të jashtëzakonshëm e përmbajtësor në shoqërinë zvicerane”.

“Kishim aq shumë për të folur, por natyrshëm, fokusin e mbajtëm tek diskutimi i mënyrave të bashkëpunimit ku mërgata jonë nuk shihet më vetëm si burim i remitencave, por si burim i ideve, kompetencës dhe profesionalizmit, e për të cilat vlera vendi ynë ka nevojë tani më shumë se kurrë”.

Osmani ka shkruar se sakrificat e bashkatdhetarëve do të shpërblehen.

“Të lësh vendin tënd për të shkuar në një vend të huaj e të përballen me sakrifica të shumta e gjithë familja- nuk është aspak e lehtë. Por, mërgatë e dashur, ju na keni dëshmuar që sakrifica e puna e drejtë shpërblehet gjithmonë me të mirë. Dashurinë e madhe e të pa kusht që ju keni për Kosovën, do t`a kthejmë shumë shpejt në partneritet strategjik e projekte e angazhim konkret. Ju jam mirënjohëse secilit e secilës që pata kënaqësinë t’u takoj, e ndjesë të gjithë të tjerëve që për shkak të rregullave të pandemisë e kishim të pamundur t’ju përshëndesim”.