Osmani: Ndëshkimi i grupeve kriminale dhe individëve që përdorën dhunë është rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë

Presidentja Osmani priti në takim të përfaqësuesin special të ShBA-ve, Gabriel Escobar dhe atë të BE-së, Miroslav Lajčák. Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që të punohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që në veri të vendit të sundojë rendi e ligji dhe të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës.…

Lajme

06/06/2023 12:11

Presidentja Osmani priti në takim të përfaqësuesin special të ShBA-ve, Gabriel Escobar dhe atë të BE-së, Miroslav Lajčák.

Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që të punohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që në veri të vendit të sundojë rendi e ligji dhe të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës.

Sipas Presidentes Osmani, ndëshkimi i grupeve kriminale dhe individëve që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, është rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Prandaj, theksoi ajo, presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë.

Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, ajo shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna.

Në takim me të dy emisarët, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e fuqizimit të aleancës me SHBA-të dhe BE-në, në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për rrugën euroatlantike dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.