Osmani kërkon heqjen urgjente të masave të BE-së: Janë të padrejta dhe dëmtojnë qytetarët

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit politike në vend dhe proceset europiane. Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet lokale në vend janë zhvilluar në mënyrë të lirë, të qetë dhe demokratike, ndërsa transferimi…

Lajme

09/12/2025 11:24

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit politike në vend dhe proceset europiane.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet lokale në vend janë zhvilluar në mënyrë të lirë, të qetë dhe demokratike, ndërsa transferimi i pushtetit është kryer paqësisht – një standard që, sipas saj, dëshmon pjekurinë politike të institucioneve.

Megjithatë, Presidentja shprehu shqetësimin e saj për vazhdimin e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato si “të pashpjegueshme, të padrejta dhe të paarsyeshme”. Ajo kërkoi mbështetjen e eurodeputetit Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato po dëmtojnë qytetarët dhe po minojnë besimin në procesin e integrimit evropian, pavarësisht se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e partnerëve evropianë.

Sipas Osmanit, heqja e masave do të përbënte një sinjal të fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave. Presidentja insistoi gjithashtu se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE duhet të procedohet sa më shpejt dhe që procesi i anëtarësimit të bazohet në meritokraci.

Ajo prezantoi një sërë të dhënash të institucioneve ndërkombëtare që e pozicionojnë Kosovën ndër vendet me performancë më të lartë në fusha kyçe. Në takim, Osmani dhe Terras ritheksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Parlamentit Evropian në rrugën drejt integrimit evropian. /Lajmi.net/