Osmani dhe Gjukanoviq për demarkacionin: Konsiderohet problematike vetëm për ata që duan të krijojnë probleme

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq është duke vizituar Kosovën ndërsa bashkë me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, janë deklaruar para mediave.

Lajme

18/05/2022 12:42

Gjatë konferencës, Osmani dhe Gjukanoviq janë deklaruar edhe lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, apo njërën nga çështjet më të diskutuar në vend.

Osmani potencoi se Kosova ka ratifikuar tri dokumentacione sa i përket kësaj marrëveshje dhe gjithçka në lidhje me Malin e Zi diskutohet në parimin e respektit të ndërsjellë.

“Dua ta potencoj që Mali i Zi si ndër shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës, që nga viti 2008 e deri më sot ka qenë ndër fqinjët më përkrahës në procesin tonë të shtetndërtimit. Kjo miqësi që është ndërtuar vazhdimisht, jo vetëm ndërmjet institucioneve, por edhe qytetarëve tanë do të ruhet dhe do të forcohet edhe më tej me çdo kusht.Sa i përket Demarkacionit, Kosova ka ratifikuar tri dokumentacione sa i përket kësaj marrëveshje. Gjithçka që ka të bëjë me raportet tona, do të diskutohet dhe do të zhvillohet në përputhje me parimin e respektit të ndërsjellë, në përputhje me parimin e raporteve të shkëlqyeshme miqësore dhe edhe çështja e trupit të përbashkët teknik, që është paraparë në deklaratën e atëhershme të dy presidenteve, është një çështje e tillë teknike që do të realizohet gjithnjë nëpërmjet diskutimeve përmbajtësore në mes dy vendeve duke vlerësuar që raportet tona të ndërsjella duhet t’i zhvillojmë duke pasur parasysh miqësinë dhe thellimin e këtyre raporteve.”, deklaroi Osmani.

Vjosa Osmani gjithashtu deklaroi se ka mjaftueshëm akterë të tjerë që kërkojnë të destabilizojnë rajonin tonë, apo të prishin marrëdhënieve të Kosovës.

“Kosova dhe Mali i Zi s’do të duhej asnjëherë të lejojnë që raportet të dëmtohen, sepse kjo vetëm do tu shkonte në interes atyre që kanë interesa malinje të rajonit.Përkundrazi, shoh shumë hapësirë të bashkëpunimit në mes dy vendeve.”, shtoi Osmani, transmeton lajmi.net.

Kurse presidenti malazez, Gjukanoviq tha se çështja e demarkacionit mund të konsiderohet si problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijon probleme.

“Do të përgjigjem shumë drejtpërdrejtë. Pajtohem me këtë që tha presidentja Osmani. Kemi folur për të gjitha pyetjet që nuk janë probleme, janë thjesht çështje që kërkojnë zgjidhje tek të cilat ne jemi fokusuar. Kemi folur edhe për mundësinë e avancimit të bashkëpunimit ndërshtetëror. Kemi identifikua hapësira reale në fushën ekonomike dhe kemi folur edhe për çështjet e avancimit, të infrastrukturës rrugore, të resurseve tona, për komunikimin turistik më të mirë.Kemi folur edhe për pozitën e malazezëve në Kosovë e pajtohemi për nevojën e avancimit të mëtutjeshëm, për çka do të punojmë në pajtim me mundësinë brenda sistemit kushtetues me vullnetin ëme të mirë që të arrijmë zgjedhjet që do të krijojnë pozitën më të mirë të malazezëve , por edhe përgjegjësinë më të madhe të tyre.Të dyja vendet kemi politikën serioze shtetërore dhe njerëz të cilët e bëjnë këtë politikë. Jemi të vetëdijshëm që miqësia ndërshtetërore në rajonin tonë, shpesh herë nuk nënkuptohet dhe arrihen me vështirësi dhe duhet të ruhen me shumë kujdes. Kemi marrëveshjen e nënshkruar në Vienë, në vitin 2015, nisem nga fakti se dy presidentët në 2018 kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët ku kanë precizuar mundësinë për të përcaktuar komisionin e përbashkët për demarkacion, ku edhe është verifikuar ajo në të dyja parlamentet tona.”, tha Gjukanoviq.

Ai deklaroi se do t’u përmbahen dokumenteve të cilat janë nënshkruar.

“Mendoj se kjo çështje mund të konsiderohet si problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijon probleme, e ne nuk dëshirojmë të krijojmë probleme nga asnjë prej adresave tona.Ne do t’u përmbahemi dokumenteve të cilat i kemi nënshkruar. Demarkacioni duhet të jetë i logjikshëm, ashtu siç duhet të jetë e të mos shërbejë në asnjë mënyrë si burim i mosmarrëveshjeve në vendet tona.”./Lajmi.net/