OSBE mbështet zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit

OSBE këtë vit do të luajë rolin e mbështetësit dhe ndihmuesit të implementimit të marrëveshjes së Brukselit, e arritur më 19 prill në mes Prishtinës dhe Beogradit. Ministri i Jashtëm i Zvicrës thotë se ky vit do të jetë vit pajtimi në Ballkanin Perëndimor.

Lajme

17/01/2014 14:28

Ministri i Jashtëm i Zvicrës, Didier Burkhalter, në cilësinë e Kryesit të Radhës të OSBE’së, ka thënë se kjo organizatë do të ndihmojë në implementimin e marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë prezantimit të prioriteteve të OSBE’së para Këshillit të Përhershëm të kësaj organizate gjatë vitit 2014 në Vjenë, Ministri Burkhalter e ka cilësuar vitin 2014 si “vit të pajtimit në Ballkan”.

“Viti 2014 do të jetë një vit i pajtimit në Ballkanin Perëndimor, me OSBE’në e cila do ta avancojë bashkëpunimin rajonal dhe do të luajë rolin e mbështetësit të implementimit të marrëveshjes së Brukselit në mes të Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Ministri Burkhalter.

Misioni i OSBE’së në Kosovë gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar ka luajtur rolin e lehtësuesit në katër komunat e pjesës veriore të Kosovës në Mitrovicë të veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Ky mision ka filluar prej vitit 1999 dhe ka për qëllim promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndërtimin e demokracisë dhe zhvillimin e sigurisë publike.