OSBE dënon vrasjen në Mitrovicën e Veriut

Jean-Claude Schlumberger ka dënuar vrasjen e Dimitrije Janicijevic. Ai thotë se është e pa pranueshme që në shekullin 21 të ketë vrasje të zyrtarëve politikë të zgjedhur.

Lajme

16/01/2014 12:44

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, ka dënuar vrasjen e mbrëmshme të Dimitrije Janiqijevicit.

Janiqijeviq ka qenë kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut në zgjedhjet lokale të nëntorit 2013 dhe ka marrë detyrën e këshilltarit të kuvendit komunal vetëm para pesë ditëve.

“Jam i tronditur nga lajmi për vrasjen e Janiqijevicit dhe shpreh indinjatë për këtë akt”, tha Schlumberger.

“Figurat politike në pjesën veriore të Kosovës kanë qenë cak i disa sulmeve në periudhën para zgjedhore, por asnjë nga këto sulme nuk kanë pasur pasojë kaq të rëndë. Është absolutisht e papranueshme që në këtë ditë dhe këtë shekull zyrtarët e zgjedhur të jenë shënjestra në këtë mënyrë”.

“Janicijevic do të përfaqësonte interesat e elektoratit të tij, diçka që duhet respektuar në çdo shoqëri demokratike”.

Schlumberger i shprehi ngushëllimet e tij më të sinqerta familjes Janicijevic dhe u bëri thirrje agjencive për zbatim të ligjit të bëjnë të pamundurën për të hetuar këtë krim të turpshëm dhe për të ndjekur autorët e krimit.

OSBE ka lehtësuar zgjedhjet në katër komunat veriore në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit në mes të Beogradit dhe Prishtinës.