Organet e sigurisë garantojnë proces të qetë zgjedhor

Misioni i EULEX-it së bashku me Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe OSBE-në, kanë ndërmarr të gjitha masat për të ofruar siguri gjatë zgjedhjeve të së dielës. 

Lajme

06/06/2014 15:26

Në një komunikatë për media nga misioni europian për sundim të ligjit dhe siguri, thuhet se Policia e Kosovës së Bashku me EULEX-in dhe KFOR-in do të jenë të pranishëm jashtë qendrave të votimit dhe hapësirave tjetra me rëndësi, ndërsa OSBE do të mbështetë procesin zgjedhor në katër komuna të veriut të Kosovës.

“Masat e sigurisë për zgjedhjet parlamentare në Kosovë që do të mbahen të dielën më 8 qershor janë planifikuar dhe bashkërenduar me kujdes ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it dhe OSBE-së për ta garantuar të drejtën e qytetarëve për të votuar, si dhe zhvillimin e qetë dhe të rregullt të procesit të votimit”.

“Policia e Kosovës, si intervenues i parë do të jetë e pranishme jashtë qendrave të votimit dhe hapësirave tjetra me rëndësi, e përkrahur në ofrimin e sigurisë nga EULEX-i, si intervenues i dyte dhe nga KFOR-i si intervenues i tretë. Me kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, OSBE-ja do të mbështetë procesin zgjedhorë në katër komuna të veriut të Kosovës”.

“EULEX-i dhe KFOR-i janë të përgatitur që ta përkrahin Policinë e Kosovës dhe të intervenojnë menjëherë nëse në çfarëdo mënyre do të kërcënohej procesi zgjedhor apo nëse rrezikohet siguria e qytetarëve në vendvotime, siguria e anëtarëve të komisioneve zgjedhore dhe e lehtësuesve të zgjedhjeve apo e vëzhguesve”.

“Bashkëpunimi dhe bashkërendimi ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it dhe OSBE-së vazhdon të jetë i shkëlqyeshëm”.