Orban kundër idesë që BE të ndihmojë Turqinë në krizën e refugjatëve

Kryeministri hungarez Viktor Orban u shpreh kundër idesë që Bashkimi Evropian (BE) të ndihmojë me tre miliardë euro Republikën e Turqisë, e cila ka strehuar më shumë se dy milionë refugjatë dhe është një nga rrugët kryesore të migrantëve që vijnë në Evropë, sipas televizioni hungarez M1.

Bota

12/11/2015 18:47

“Mendoj se ideja që Turqia të ndihmohet me tre miliardë euro nuk është aspak e mirë. Këto para mund ti jepen Bullgarisë dhe Maqedonisë për një menaxhim më të mirë të kufirit, nëse grekët nuk tregojnë vullnet për të vendosur kontrolle më cilësore në kufirin e tyre jugor”, tha Orban.

“Qëndrimi i Hungarisë është që Bashkimi Evropian nuk duhet që gjatë negociatave me Turqinë të shfaqë se Ankaraja është shpëtimtari i kësaj situatë. BE-ja së pari duhet të vendos linjën e saj të mbrojtjes. Ne duhet të jemi në gjendje që të mbrohemi edhe pa turqit. Kur të tregojmë këtë, atëherë do të jetë më lehtë që të negociojmë me Turqinë”, tha Orban.

Duke theksuar se vendosja e kontrollit mbi kufirin jugor grek është një çështje kyçe në ndalimin e refugjatëve në Evropë, Orban njoftoi se anëtarët e Grupit të Visegradit (Hungaria, Polonia, Sllovakia dhe Republika Çeke) së shpejti do të dërgojnë në Greqi më shumë se 300 policë dhe zyrtarë kufitarë.

Hungaria është anëtari i parë i BE-së që mbylli kufirin e saj me Serbinë dhe Kroacinë, për të parandaluar fluksin e refugjatëve./atsh