Ora zvicerane

Zvicra, edhe në lojën e dytë kundër Shqipërisë, tregoi se është superiore dhe i mbajti asaj një orë futbolli. Shqipëria mund ta shohë Botërorin në televizor, ndërsa ne mund të bëjmë tifo për shqiptarët e Zvicrës.

Sport

11/10/2013 21:29

Zvicra mposhti Shqipërinë 2-1 në Qemal Stafa në kuadër të Grupit E, dhe siguroi kualifikimin për në Kampionatin botëror 2014.

Më meritori për këtë mund të konsiderohet Xherdan Shaqiri i cili njësoj sikurse në duelin e parë në Zvicër, edhe në Tiranë shënoi gol kundër kuqezinjve dhe ishte futbollisti më i dalluar në fushë për aq minuta sa kaloi në lojë.

Skuadra helvetike e nisi duelin me tre futbollistë shqiptarë në formacionin bazë, Shaqiri, Granit Xhaka dhe Valon Behrami. Shqipëria luajti shumë dobët në pjesën e parë kurse Zvicra rastin më të volitshëm e pati në minutën e 20-të kur Stocker qëlloi shtyllën pas një harkimi të Shaqirit.

Pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Shaqiri kaloi Zvicrën në epërsi kur mposhti portierin Etrit Berisha pasi u gjend  i vetëm përball tij. Në minutën e 54-të, Shaqiri doli nga loja – i faulluar shpeshherë nga futbollistët shqiptarë – dhe në vend të tij në lojë u inkuadrua Admir Mehmedi.

Odise Roshi ishte shumë pranë të barazojë rezultatin kur qëlloi transversalen në minutën në minutën e 76-të. Kurse pak qaste më vonë, Lang realizoi për 2-0 pas një tollovie në zonën e Shqipërisë që u ndëshkua edhe njëherë pas një reagimi të dobët në mbrojtje.

Kuqezinjtë e gjetën ngushëllimin në minutat e fundit të kohës së rregullt kur Hamdi Salihi shënoi nga penalltia. Por, kjo ishte e tëra, Zvicra siguroi kualifikimin për në Kampionatin botëror 2014, kurse Shqipëria kompleton edhe një tjetër fushatë dëshpëruese.

Vlen të theksohet se publiku në Qemal Stafa ishte jashtëzakonisht i ashpër në drejtim të futbollistëve shqiptarë anëtarë të Zvicrës duke i sharë ata gjatë gjithë ndeshjes.

Në ndeshjet tjera të këtij grupi Islanda mposhti Qipron 2-0, kurse Sllovenia fitoi ndaj Norvegjisë 3-0 dhe këto dy ekipe fituese vazhdojnë të jenë në garë për play-off. Shqipëria mbetet në kuotën e 10 pikëve, e parafundit në tabelë. Ekipi i Gianni De Biasit të martën takohet me Qipron, me shpresë që së paku të mbyllë këtë cikël eliminator me një fitore pas tri disfatave të njëpasnjëshme.