Opozitë e shkapërderdhur

Driton Selmanaj nga KDI thotë se partitë opozitare s'janë unike për shkak të dallimeve ideologjike dhe interesave të tyre. Mendon se kjo ia ka mundësuar ekzekutivit të qeverisë pa problem. Po të kishte opozitë të fortë, vendi moti do të shkonte në zgjedhje.

Lajme

19/01/2014 07:58

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), konsideron se partitë politike opozitare pothuajse asnjëherë nuk kanë qenë unike për shkak të dallimeve ideologjike dhe kalkulimeve të interesave të  politikave ditore.

Në legjislaturën e cila është në vitin e fundit të mandatit, partitë opozitare asnjëherë nuk arritën që të gjejnë gjuhë të përbashkët për ta kundërshtuar Qeverinë e Kosovës në vendimet e ndryshme, në përjashtim të çështjes së privatizimit të PTK’së, e cila për pak sa nuk e dërgoi vendin në zgjedhje të parakohshme.

Mirëpo, sipas Selmanajt, Instituti i të cilit monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, nëse Kuvendi do të kishte një bllok opozitar të fuqishëm, vendi moti do të shkonte në zgjedhje të parakohshme.

Në një prononcim për lajmi.net, Selmanaj është shprehur se LDK dhe Vetëvendosje kanë dallim në kuptimin ideologjik, ndërsa AAK nuk ka treguar një pozicion të qartë politik përbrenda Kuvendit.

“Ndoshta kjo vjen për shkak të ideologjive ose dallimeve konceptuale që kanë si subjekte, por ndoshta vjen edhe si rezultat që disa nga subjektet politike bëjnë politikë mbi baza të interesave të politikave ditore, e jo mbi baza programeve ose ideve konkrete, ose të pozicionimit të qartë çfarë e kanë në Kuvendin e Kosovës”.

Driton Selmanaj, KDI

“LDK me VV e dimë që dallojnë shumë në kuptimin ideologjik dhe nuk ka shumë çudi që mos të kenë mirëkuptim njëra me tjetrën ndërkohë, në anën tjetër kemi AAK`në që shumë nuk është ditur se çfarë pozicioni politik ka brenda Kuvendit të Kosovës”.

“Kjo më tepër ka radhë si rezultat dallimet ideologjike që mund t`i kenë dhe e dyta për shkak të kalkulimeve të interesave të politikave ditore më tepër sesa në kuptim të bërjes opozitë të mirëfilltë, ashtu siç do të duhej tak ishte një bllok opozitar”.

“Sikur ta kishim një bllok opozitar të fuqishëm mendoj se shumë moti, Kosova do të detyrohej që të shkonte në zgjedhje të parakohshme, sepse qeverisja në vend nuk e ka pasur shumicën e votave të qytetarëve të Kosovës”.

Selmanaj ka kritikuar  partinë e Ramush Haradinajt e cila, sipas tij, i ka ndihmuar shpeshherë Qeverinë kur pozicioni i saj ka qenë në pikëpyetje.

“Ky bllok në asnjë rast nuk ka qenë pothuajse homogjen në artikulimin e kërkesave dhe në fuqizimin e vet si bllok opozitar, në mënyrë që ta sfidojë seriozisht qeverisjen në vend”.

“Kjo qasje i ka shkuar për shtati Qeverisë së Kosovës, sepse përkundër që ka pasur numra të vogël në Kuvendin e Kosovës, ata kanë vazhduar me qeverisë pa pasur ndonjë problem serioz”.

“Kështu mund t`ia shtojmë faktin që një parti politike opozitare siç është AAK, jo rrallë herë ka vënë në pikëpyetje pozicionin politik brenda Kuvendit, sepse është parti politike opozitare ose është pjesë e Qeverisë. Disa herë ka ndodhur që e ka shpëtuar qeverisjen”.

Pavarësisht mos harmonizimit të qëndrimeve në mes partive opozitare, Selamanj shpreson që Kosovën në të ardhmen të ketë një bllok opozitar më konstruktiv, duke thënë se nuk ka kuptim jeta parlamentare pa një opozitë të mirëfilltë.

“Çfarëdo varianti të koalicioneve të ardhshme që mund të kemi në Kosovë, mendoj që subjektet politike të cilat do të pozicionoheshin në opozitë do të ishte vlerë e shtuar nëse ata do të realizonin një opozitë të mirëfilltë.

“Nuk ka kuptim jeta parlamentare pa një opozitë të mirëfilltë dhe konstruktive, prandaj mendoj që ka ardhur koha por, partitë politike në Kosovë duhet ta kuptojnë opozitarizmin dhe kontrollin parlamentar ndaj qeverisë si një element i rëndësishëm i demokracisë në përgjithësi, e jo vetëm si një element për ta rrëzuar dikë  nga pushteti”, ka thënë Selmanaj për lajmi.net.

Marrëveshja e 19 prillit dhe Ligji për Amnesti kishte vënë në sprovë unitetin e partive opozitare, të cilat nuk arritën ta sfidojnë Qeverinë e Kosovës. Në përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe një numri të vogël të deputetëve të LDK`së, koalicioni qeverisës kishte arritur të mbledhë shumicën e votave në të dy rastet.