Opozitari austriak kundër vendimit të Thaçit
Lideri populist austriak Strache e quan të çuditshëm vendimin e Thaçit për t’i ndaluar vizitat e liderëve serbë në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore. Sipas tij, serbët e Kosovës të fitojnë një autonomi.
Lajme
Lideri i Partisë së Lirë të Austrisë në opozitë (FPO) Heinz-Christian Strache kritikoi vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos i lejuar politikanët serbë që të hyjnë në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore.
“Është një vendim shumë i çuditshëm. Zyrtarëve serbë duhet t’u mundësohet t’i vizitojnë banorët serbë në Kosovë dhe të marrin pjesë në manifestime me popullin e tyre. Kjo ndalesë është shumë e dyshimtë dhe duhet të kritikohet”, ka thënë Strache.
Sipas liderit të FPO’së, parti e cila është e treta për nga elektorati në Austri, është e domosdoshme që pakica serbe në Kosovë ta ketë një lloj autonomie në mënyrë që t’i mbrojë të drejtat e veta.
“Kjo nuk ka ndodhur deri më tani por duhet që bashkësia ndërkombëtare ta vendosë drejtësinë, dhe jo një zgjidhjet njëanshme”, është shprehur ai
I pyetur për mendimin e tij rreth iniciativës së Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe që procesi integrues i Serbisë në BE të kushtëzohet me Kosovën, Strache tha se Serbia duhet të insistojë në autonomi për serbët e Kosovës.
“Ky është parakushti thelbësor, sepse nëse serbët fitojnë autonomi kjo do të ishte zgjidhja e drejtë për të dyja palët. Mendoj se duhet të përdoret shembulli i Tirolit të Jugut”, ka thënë ai.