Opozita: Veseli i pafuqishëm karshi Thaçit e Mutafës (Video)
Seanca e 22 shtatorit nuk do të mbahet në mend vetëm për ‘vezët e para në Kuvend’, por edhe për shkeljen e rregullores me rastin e intervenimit të sigurimit të afërm të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit.

Lajme
Opozitarët thonë se janë ndier të kërcënuar nga numri i madh i forcave të sigurimit, të cilët edhe pse nuk e kanë atë të drejtë, ata u futen në sallën ku mbahen seancat e Kuvendit.
Se në seancë pati shkelje dhe forca të shtuara të policisë dhe mbrojtjes së afërt, e thotë edhe deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, sipas së cilës gjatë tërë seancës hyrjet e Kuvendit kanë qenë të mbushura me pjesëtarë të policisë, nga ku të epej përshtypja e një shteti policor.
Prezenca e sigurimit të kryeministrit dhe zëvendësit të tij, sipas Haxhiut ishte një tentim për të penguar e terrorizuar deputetët në punën e tyre.
“Hyrja përbrenda sallës së Kuvendit ka qenë shkelje flagrante e rregullores së punës sepse askush nuk ka të drejtë të hyjë në sallë të Kuvendit asisoj. Sipas rregullores së punës, Kryetari i Kuvendit është dashur të ndërpres menjëherë seancën dhe të largojë të njëjtit nga salla dhe dyert e Kuvendit dhe reagimi i dobët i Veselit në atë çast tregon pafuqinë e tij karshi Mustafës dhe Thaçit. Sigurimi i Mustafës dhe Thaçit përveç që kanë hyrë në Kuvend arbitrarisht, edhe pas përfundimit të aksionit simbolik kanë qëndruar në sallë të Kuvendit. Këta njerëz kanë degraduar Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe nuk lanë rregull pa e shkelur vetëm për mbijetesë politike”, tha Haxhiu për KosovaPress, përmes postës elektronike.
Shefja e Grupit Parlamentar të Nismës, Valedete Bajrami tha se është e përcaktuar qartë me rregulloren e punës së Kuvendit se kush mund të hyjë dhe me çfarë rasti bëhet thirrja e sigurimit për të intervenuar brenda sallës së seancave.
“Ka pasur shkelje të Rregullores , ju e dini që njerëzit që kanë të drejtë të hyjnë në Parlamentin e Kosovës janë deputetë, ministrat, kryetari i Kuvendit, mysafirët të cilëve ju lejohet hyrja dhe të cilët hyjnë me një ftesë, ose me një kërkesë nga ana e tyre, mirëpo sigurimi i kryeministrit në këtë seancën e fundit që patëm është e papranueshme, dhe nuk lejohet me rregullore të punës. Konkretisht neni 41 i rregullores së kuvendit e përcakton se kush dhe kur thirret sigurimi nga ana e kryetarit nëse shihet e nevojshme e përcakton shumë mirë dhe qartë ky nen se kur duhet të thirret një forcë shtesë”, tha Bajrami.
Ajo arsyetoi veprimin e subjekteve opozitare me hedhjen e vezës si një simbolik, por se ajo nuk arsyeton veprimin e sigurimit të kryeministrit dhe forcat e shtuara të tij brenda Kuvendit, duke thënë kështu se deputetët ndihen të kërcënuar nga gjithë kjo prezencë e policisë gjatë seancave të fundit.
“Ata e panë që nuk po sulmet kryeministri dhe ju e keni parë që asnjë vezë nuk ka ra te kryeministri, ajo ishte simbolik, por numri i madh qoftë në hollë qoftë në korridore të Kuvendit definitivisht është e papranueshme se edhe ne si deputetë ndihemi të kërcënuar atëherë. Çka ka nevojë të ketë në hollë të kuvendit përpos sigurimit të Kuvendit edhe gjithë ai numër”, tha Bajrami.
Edhe pse raportimi i Mustafës në Kuvend ishte paralajmëruar nga vet ai pasi më 25 gusht kishte nënshkruar Marrëveshjet për Asociacionin e Komunave Serbe, për Kodin Telefonik, marrëveshja për Energjinë Elektrike, si dhe atë për heqjen e barrikadës mbi urën e Ibrit, kjo u pamundësua nga ana e opozitës.
Subjektet opozitare vazhdojnë të kundërshtoj raportimin pa heqjen e nënshkrimit të Mustafës në këto marrëveshje dhe atë të Hashim Thaçit dhe Skënder Hysenit në marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, nënshkrim ky të cilin Thaçi e Hysenin e vunë gjatë Samitit të Vjenës.
Përndryshe, neni 41 i Rregullores së Punës së Kuvendit ”Mbarëvajtja e punimeve të Kuvendit”, përcakton se kryetari i Kuvendit kujdeset për rregull dhe mbarëvajtje të mbledhjeve në Kuvend. Sipas këtij neni, kryetari ia tërheq vërejtjen secilit deputet ose anëtari të Qeverisë, kur:
- a) diskutuesi shmanget nga çështja e shtruar për diskutim;
- b) gjatë mbledhjes e kryen ndonjë veprim, që e prish rregullin e punës së Kuvendit;
- c) në mbledhje sillet në mënyrë të pahijshme dhe të palejueshme etj…
Në rregulloren e Kuvendit po ashtu thuhet se në rastet kur kërkohet veprim plotësues, duke e përfshirë edhe ndërhyrjen e një ose më shumë zyrtarëve të policisë, kryetari i Kuvendit konsultohet me Kryesinë para se të urdhërojë një masë të tillë disiplinore.
“Në këto raste zyrtarët e policisë veprojnë sipas urdhrave të Kryetarit të Kuvendit”, thuhet në rregullore, edhe pse një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi ishte vet kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ai që kërkonte largimin e sigurimit të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit.
