​Opozita turke bën thirrje për protesta, Imamoglu sonte merret sërish në pyetje

Një ditë pas protestave masive në Turqi dhe arrestimit të 343 personave, kryebashkiaku opozitar i Stambollit Ekrem Imamoglu, i cili u arrestua të mërkurën, do të merret sërish në pyetje sonte. Opozita po bën thirrje për protesta të reja për arrestimin e kreut të Partisë Popullore Republikane dhe rivalit kryesor të Recep Tayyip Erdogan në…

Bota

22/03/2025 22:02

Një ditë pas protestave masive në Turqi dhe arrestimit të 343 personave, kryebashkiaku opozitar i Stambollit Ekrem Imamoglu, i cili u arrestua të mërkurën, do të merret sërish në pyetje sonte.

Opozita po bën thirrje për protesta të reja për arrestimin e kreut të Partisë Popullore Republikane dhe rivalit kryesor të Recep Tayyip Erdogan në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Që nga e mërkura, kur u arrestua Imamoglu, protestat janë përhapur në 55 nga 81 rajonet e Turqisë, raporton Le Monde, duke shtuar se sipas të dhënave nga partia e Imamoglu, vetëm në Stamboll dje dolën në rrugë 300 mijë njerëz.

Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya njoftoi sot se dje janë arrestuar 343 persona.

Dje pati përplasje mes protestuesve dhe policisë, të cilët përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji në Izmir dhe Ankara. Pavarësisht kësaj, opozita në Turqi bëri thirrje për protesta të reja sot.

Imamoglu pritet të merret sërish në pyetje nga policia sonte. Sipas një deklarate nga Partia Popullore Republikane, lideri i saj më pas do të merret në pyetje nga kryeprokurori në Stamboll dhe më pas do të sillet para një gjyqtari.

Imamoglu u arrestua me dyshimin për korrupsion dhe mbështetje për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila konsiderohet organizatë terroriste.

Avokati i Imamoglu, Mehmet Pelivan tha se marrja në pyetje e klientit të tij të premten zgjati gjashtë orë dhe kishte të bënte me korrupsionin. “Imamoglu mohoi të gjitha akuzat,” tha ai.

Partia e Imamoglu për nesër, 23 mars 2025, kishte planifikuar ta shpallte atë kandidat zyrtar për president të vendit për zgjedhjet 2028.