Opozita ruse, marsh në kujtim të kryeopozitarit Nemcov

Përkrahësit e opozitës pritet të marshojnë sot në Moskë për të kujtuar liderin opozitar, Boris Nemcov, i cili u vra mbrëmjen e së premtes në kryeqytetin rus.

Bota

01/03/2015 10:59

Mijëra njerëz kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj në një urë afër Kremlinit (selisë së qeverisjes ruse), ku politikani opozitar rus dhe ish-zëvendëskryeministër i këtij vendi u godit me katër plumba, raporton Radio Evropa e Lirë.

Presidenti Vlladimir Putin e ka përshkruar vrasjen si “provokim”, ndërsa nënës së Nemcovit i ka thënë se vrasësit do të ndëshkohen.

Komiteti Hetues i Rusisë ka thënë se është duke ndjekur disa pista të hetimit, përfshirë edhe mundësinë që Nemcov është vrarë nga radikalët islamikë apo që vrasja e tij ka qenë provokim për të “destabilizuar situatën politike në vend”.

Nemcov në një intervistë të dhënë para më pak se dy javësh kishte thënë se ka frikë për jetën e tij, pasi dyshon që Putini e dëshiron atë të vdekur, për shkak të kritikave ndaj rolit rus në konfliktin e Ukrainës.

Një bashkëbisedues i gazetës serbe Blic, shumë i afërt me opozitën, tha se vrasja e kryeopozitarit rus është vrasje politike.