Opozita ruse bashkohet kundër Putinit

Pas vitesh të tëra lufte të brendshme, opozita e fragmentarizuar ruse ka vendosur të bashkojë forcat përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit që vjen.

Bota

19/04/2015 15:04

Në mesin e partive që do të garojnë me një platformë të përbashkët është edhe ajo e disidentit Boris Nemtsov, i vrarë në 25 shkurt përpara mureve të Kremlinit.

Të rreshtuar në këtë bllok opozitar janë edhe dy prej kritikëve më të egër të: ish-kryeministri Mikail Kasionov dhe blogeri i paepur i anti-korrupsionit, Aleksei Navalni, i cili ka qenë dy herë i dënuar nga pushteti aktual për shpërdorim fondesh. Por, ai fuqishëm i ka mohuar këto akuza, transmeton TCH.

“Po flasim sot për konsolidim të vërtetë të opozitës në Rusi. Fakti që dalim me një listë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme do të thotë se opozita është vërtet e bashkuar”, tha Kasionov.

Partitë akuzojnë sistemin autoritar të Putinit se e ka nxjerrë jashtë loje opozitën, ka rrënuar ekonominë dhe e ka zhytur vendin në konflikt me ndërhyrjen në Ukrainë.

Ata thonë se fati i Boris Nemtsovit është dëshmia më e qartë e mosfunksionimit të shtetit ligjor.

Ndërkaq, presidenti rus sërish mohoi çdo përfshirje në vrasjen e armikut të tij, të cilën madje e dënoi ashpër në komunikimin maratonë të së enjtes me publikun.

“Ishte një ngjarje e turpshme. Këto lloj vrasjesh janë tragjike dhe të turpshme”, tha Putini.

Partitë e margjinalizuara të opozitës ruse sot nuk kanë asnjë përfaqësim në Dhomën e Ulët të Parlamentit, Duma, dhe tani duken të vendosura të bëjnë ç’ është e mundur për ta ndryshuar një gjë të tillë.