Opozita: Presidentja s’duhet t’i drejtohet Kushtetueses

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mund të dërgojë për shqyrtim përmbajtjen e marrëveshjeve Kosovë-Serbi në Gjykatën Kushtetuese.

Lajme

22/10/2015 15:44

E ky veprim i saj, nga partitë opozitare nuk po shihet si veprim adekuat.

Shefja e Grupit Parlamentar të Nismës, Valdete Bajrami thotë për lajmi.net se Presidentja tashmë ka nisur bisedimet me liderët politikë në vend, andaj sipas saj, nuk është momenti i duhur që ajo të dërgojë në Kushtetuese marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Mendoj se Presidentja nuk guxon të merr një vendim të tillë, pasi ka hapur diskutim të liderëve. Besoj se nuk është momenti që (marrëveshja Kosovë-Serbi) të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo nuk duhet ta dërgojë në Kushtetuese”, thotë ajo.

“Kjo çështje është çështje politike dhe ka hapur bisedimet mes liderëve pozitar dhe opozitar me qëllim që të arrihet një dakordim. Tash nuk e di ku është esenca e thirrjes së një tryeze të përbashkët pozitë-opozitë. Pra iniciativa e saj po më duket e pakuptimtë”, thotë Bajrami.

Ndërkaq, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, thotë se nga përvoja që kanë pasur më herët me Gjykatën Kushtetuese, ka bërë që ata të mos besojnë më në objektivitetin e organit më të lartë të drejtësisë në vend.

Ai madje thotë se Kushtetuesja më herët nuk ka pranuar që të shqyrtojë ligjshmërinë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Nga përvoja në të kaluarën ne e kemi parë dhe tashmë jemi të bindur që Gjykata Kushtetuese është thjeshtë një prej institucioneve të Republikës të cilat janë të kapura nga njerëzit në pushtet”.

“Kështu që nuk presim që kjo Gjykatë të merr ndonjë vendim të drejtë dhe aq më tepër është shumë e rëndësishme që të rikujtohet se është pikërisht marrëveshjet e 19 prillit ne i kemi dërguar në Kushtetuese dhe Gjykata na ka kthyer përgjigje që ne nuk mund t’i trajtojmë çështjet që diskutohen në Bruksel, pra janë jashtë mandatit të Gjykatës Kushtetuese”.

Duke folur për rolin e presidentes Jahajaga në gjetjen e zgjidhjes për të dalë nga kjo gjendje, Krasniqi thotë se ajo nuk është aspak “neutrale”.

“Presidentja nuk ka një rol neutral brenda këtij procesi, ajo pak a shumë është rreshtuar përkrahë qeverisë sepse ajo mbështetë marrëveshjet, ajo e ka gjykuar opozitën”, tha Krasniqi për lajmi.net.

Deputetja Valdete Bajrami por dhe Frashër Krasniqi thonë se pavarësisht nëse Presidentja vendos t’i drejtohet Kushtetueses, ata do të vazhdojmë me veprimet e tyre, pra me bllokimin e institucionit të Kuvendit, derisa qeveria të tërheq nënshkrimet nga marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si dhe Marrëveshjes e Demarkacionit me Malin e Zi.

Presidentja këtë javë ka nisur bisedimet e ndara me liderët politikë, duke paralajmëruar për një tryezë të përbashkët pozitë-opozitë.

Partitë opozitare, që një muaj, janë duke bllokuar punën e Kuvendit. Në dy seancat e fundit, ata kanë hedhur gaz lotsjellës.

Veprimet e opozitës janë dënuar edhe nga trupi diplomatik i akredituar në Kosovë.

Në anën tjetër, opozita ka paralajmëruar për organizimin e protestave gjithëpopullore. /lajmi.net