Opozita njëzëri kërkon largimin e Rektorit dhe Këshillit Drejtues

Partitë opozitare, LDK, Vetëvendosje dhe AAK kërkojnë largimin e menjëhershëm të Rektorit Ibrahim Gashi dhe Këshillit Drejtues të UP’së, për ta shpëtuar këtë institucion siç thonë nga ‘vdekja akademike”. PDK kërkon që të hetohen të gjitha shkeljet në UP.

Lajme

06/02/2014 11:57

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur alarmante gjendjen në Universitetin e Prishtinës.

Grupi parlamentar i kësaj partie ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme të situatës së krijuar në UP.

LDK, si inicuese e debatit në Kuvend për situatën në Universitetit, ka paraqitur edhe Rekomandimet e saj, ku pika e parë është dorëheqje e Rektorit Ibrahim Gashi dhe Këshillit Drejtues.

Sipas kësaj partie, edhe Rektori edhe Këshilli Drejtues kanë humbur kredibilitetin e tyre dhe si rrjedhojë duhet t’i hapin rrugën normalizimit të gjendjes në UP.

Deputetja e LDK’së, Lirije Kajtazi, tha se kjo parti konsideron se ngjarjet e fundit e kanë dëmtuar shumë imazhin e universitetit më të madh dhe më të njohur në vend dhe se ato janë pasojë e ndërhyrjeve sistematike të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Qeverisë në UP.

“Nga ndërhyrjet politike dhe të kundërligjshme është dëmtuar cilësia, janë krijuar grupe joformale interesi, të cilat nuk mund t’i sjellin asnjë të mirë UP’së”.

“LDK’ja, me qëllimin më të mirë dhe duke pasur parasysh rëndësinë që ka universiteti më i madh publik në vend, në shumë raste ka dhënë vërejtjet e veta, sugjerimet dhe ka propozuar zgjidhje, por Qeveria nuk ka treguar vullnet që të hapë rrugë për punë normale në UP”.

“Po me qëllimin që ta ndihmojë UP-në, LDK-ja ka vendosur që përmes Grupit parlamentar të kërkojë këtë debat parlamentar, në të cilin LDK-ja do bëjë vlerësimet dhe do të japë rekomandimet e veta lidhur me të gjitha zhvillimet”.

Partitë opozitare po kërkojnë dorëheqjen e Rektorit Ibrahim Gashi dhe shkarkimin e Këshillit Drejtues.

Deputeti i Vetëvendosjes, Afrim Kasolli, thotë se ky institucion i dijes është shndërruar në qendër të mashtrimit.

Ai thotë se shkaktari i gjendjes në të cilën ndodhet UP është politizimi i tij i skajshëm.

“Nga qendra e prodhimit të dijës ky institucion u shndërrua në qendër të mashtrimit, dhe me këtë qeveri arriti majat”.

“Kjo krizë e ka bazën te kjo mënyrë e menaxhimit të këtij institucioni dhe politizimi e skajshëm i tij”.

Në emër të Vetëvendosjes, Kasolli rekomandoi që nesër Rektori dhe Këshilli Drejtues të shkarkohen.

“Këshilli Drejtues që nesër duhet ta bëjë shkarkimin e Rektorit, pra duhet të jetë vendim obligativ”.

“Urgjentisht të largohet policia para Rektoratit”.

“Të ndodhin ndryshime ligjore dhe statutore, ku Këshilli Drejtues duhet të emërohet nga Kuvendi me 2/3”.

“E nëse nuk ndodhin këto ndryshime menjëherë atëherë UP’së i garantojmë një vdekje të palakmueshme akademike”.

Deputetja e AAK’së, Teuta Haxhiu, tha se i gjithë problemi i UP’së nuk është vetëm Rektori Ibrahim Gashi, dorëheqja e të cilit, sipas saj, as që duhet diskutuar.

“Mendojmë se problemi i krijuar nuk qëndron te personaliteti i Rektorit”.

“UP është politizuar dhe degraduar si kurrë më parë”.

“Kjo gjendje dhe kjo atmosferë është rezultat i politizimi të skajshëm që i është bërë këtij institucioni”.

“Dorëheqja e rektorit as që duhet diskutuar”.

AAK në rekomandimet e saj kërkoi që të bëhet verifikimi i të gjitha diplomave dhe thirrjeve akademike dhe që ky proces të jetë sa më transparent.

“Rritja e transparencës, autonomi të plotë të UP, demokratizimin e të gjitha strukturave brenda saj”.

Ramë Vataj nga PDK tha se subjekti i tij është për hetimin dhe verifikimin e çdo profesori që prej vitit 1990.

“Gjendja nuk është e mirë ose së paku ashtu siç ne duam që të jetë”.

“Ndryshimi i gjendjes së rëndë mund të bëhet vetëm në bazë të disa kritereve”.

“PDK dënon të gjitha shkeljet dhe përkrahin dhe inkurajojmë organet të drejtësisë që të marrin vendimin e duhur keqbërësit”.

“Jemi që të hetohen se a ka plagjiaturë dhe jemi që të profesorëve të ju hiqen gradat”.

“Rishikimi i titujve duhet të bëhet për të gjithë personelin aktiv”.

”Jemi që të hetohen të gjithë profesorët që prej viteve 1990 e këndej”.

“Unë që tash e dorëzoi CV time dhe atë tani mund ta kontrollojë një komision kompetent”.

Ministri i Arsimit Ramë Buja u zotua se do t’i kryejë të gjitha obligimet e tij ligjore.

Ai thotë se gjendja e krijuar në UP e ka trazuar mjaft shumë.

“Unë zotohem se do të bëjë të gjitha detyrat që më shtrohen dhe në bazë të sugjerimeve që ka Grupi Parlamentar për të realizuar ato synime që janë për të dalë nga kriza dhe që të mbajë mbi supe të gjitha përgjegjësitë që më takojnë”.

“Zotohem se do t’i kryejë të gjitha detyrat e mia që më përkasin me ligjin që është aprovuar në këtë parlament”.

Buja kërkon që brenda universitetit të mos ketë ndikim politika, por pohon se pothuajse të gjitha universitetet në botë kanë ngjyrime politike.

“Çështja është se kërkohet gjithmonë që politika të mos jetë prezente në universitet. Edhe unë sugjeroj kështu, por është e pamundur që institucionet politike kudo në botë të mos kenë paksa ngjyrime politike”.

“Ma gjeni diku një universitet në botë që nuk ka ngjyrime politike. Politika është përzier për aq sa ka lejuar ligji”.

“Kjo çështje na shqetëson të gjithëve sepse besoj se arsimi nuk ka ngjyra politike sepse të gjithë jemi të interesuar që kjo punë të shkojë mbarë e mirë”.

“Kjo gjendje e krijuar na ka trazuar të gjithëve e padyshim trazon më shumë më shumë ai që ka përgjegjësi më shumë”.

Ministri Buja thotë se problemet në UP kanë zgjidhje.

“Çështja në UP është diçka që unë besoj që ka rrugëzgjidhje, ka mundësi që këto probleme të tejkalohen por unë miqësisht i’u kisha lutur për një debat konstruktiv edhe për faktin që të gjithë ne këtu me ndonjë përjashtim të vogël jemi produkt i këtij universiteti shumë kredibil, shumë i respektuar që ka prodhuar të mira për Kosovën dhe ndonjëherë ka pasur ndonjë lajthitje siç është tash”.

“Jam deklaruar që kjo gjendje më ka trazuar shumë dhe më ka gëzuar njëkohësisht. Duhet të fillojë që ky pështjellim të zgjidhet”.

“Unë jam i bindur se do i përmbahemi një thënie: Mallkuar qoftë ai njeri dhe ai popull që mallkon burimin prej nga ka dalë”.

“Debati do të jetë në funksion të asaj që ne të dalim bashkë nga kriza, për të ia kthyer kredibilitetin një institucioni që ishte dhe duhet të mbetet kredibil”.

Ministri Buja bëri thirrje që situata e krijuar të mos shfrytëzohet nga partitë politike për “hakmarrje”.