Opozita në Shqipëri kërkon modelin e Kosovës për zgjedhje parlamentare

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi sot protestën e 10 shkurtit si një nga kryengritjet më të fuqishme paqësore në historinë e Shqipërisë pas 20 shkurtit të vitit 1991. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se kjo protestë ishte një manifestim i dinjitetit dhe guximit të qytetarëve shqiptarë. “Përsëris…

Lajme

14/02/2026 22:48

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi sot protestën e 10 shkurtit si një nga kryengritjet më të fuqishme paqësore në historinë e Shqipërisë pas 20 shkurtit të vitit 1991.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se kjo protestë ishte një manifestim i dinjitetit dhe guximit të qytetarëve shqiptarë.

“Përsëris mirënjohjen time më të pakufishme për të gjithë ata që iu përgjigjën thirrjes së ndërgjegjes së tyre, që me 10 shkurt, në kryengritjen madhështore paqësore tronditën gjer në palcë narkoregjimin dhe përcollën në çdo zemër, në çdo vatër shqiptare, por edhe te gjithë miqtë e Shqipërisë dhe njerëzit liridashës në botë, mesazhin e shpresës.Unë mund të them se 10 shkurti ishte dita jo vetëm e guximit të madh, por edhe e dinjitetit të vërtetë të shqiptarëve”, tha Berisha.

Berisha theksoi se protesta e 10 shkurtit pati jehonë ndërkombëtare.

Ai u shpreh se kauza e opozitës është të rrëzojë atë që ai e quajti “narkoshtet”.

“Ne kryengritjen nuk e ndërpresim kurrë pa rrëzuar narkoshtetin. Ideja që të mos largohemi nga sheshi për rrëzimin e narkoshtetit është absolutisht ideja më e drejtë”, tha ai.

I pyetur në lidhje me propozimet e PD-së për Reformën Zgjedhore, Berisha tha se opozita do kërkojë Shqipërinë si një zonë të vetme elektorale, por sipas tij zgjedhje me Edi Ramën nuk ka.

“Forumi i intelektualëve që mblodhi forcat politike dy ditë më parë, paraqiti një dokument, të cilin ne e firmosëm dhe të gjitha forcat politike opozitare u angazhuan për Shqipërinë një zonë elektorale, ku pesha e votës të qytetarit bëhet e barabartë në të gjithë territorin dhe për çdo qytetar.

“Por, thënë kjo, ju lutem edhe njëherë, të mos harrojmë se absolutisht përsëri, me Edi Ramën zgjedhjet do jenë farsë dhe vetëm farsë. Cilido që të jetë sistemi, cilido që të jetë ndryshimi, shqiptarët me Edi Ramën nuk do votojnë kurrë të lirë”, tha ai./ATSH