Opozita me koncert në protestë që të arrijë të mbledhë përkrahës (Foto&video)

Partitë opozitare Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, kanë kundërshtuar fuqishëm marrëveshjen e fundit me Serbinë të nënshkruar në Bruksel, dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi, por deri sot asnjëherë nuk kanë arritur që për këtë të nxjerrin në shesh më shumë se 200-300 përkrahës.

Lajme

27/11/2015 11:35

Duke u përballur me mospërkrahje qytetare në kauzat e tyre të cilat nuk kanë hezituar t’i mbrojnë edhe me përdorim të dhunës, partitë opozitare kanë ndërruar strategji.

Ata kanë thirrur protestë në një datë të madhe për shqiptarët, në datën e Festës së Flamurit. Ndërsa, përveç kësaj kanë luajtur edhe me karta tjera, protestën nuk e kanë emërtuar të tillë, por manifestim, në të cilin kanë thënë se nuk do të ketë dhunë, por argëtim ku do të përforcojnë edhe pjesëtarë të estradës së vendit.

Një gjë e tillë është bërë e ditur edhe sot në një konferencë për media, të mbajtur vetëm një ditë para protestës e cila është thirrur për nesër në ora 14:00 në sheshin Zahir Pajaziti në kryeqytet.

a

Glauk Konjufca nga VV me këtë rast ka thënë se manifestimi do të organizohet për të kundërshtuar dy marrëveshjet, të Asociacionit dhe atë të demarkacionit me Malin e Zi.

“Për këto dy marrëveshje ne kemi paraqitur fakte të mjaftueshme që përbëjnë shkelje të sovranitetit të shtetit”, ka thënë Konjufca, duke shtuar se përzgjedhja e datës 28 nëntor për këtë protestë nuk ka qenë e rastësishme.

Ai e ka ritheksuar se protesta do të jetë e qet dhe përveq fjalimeve të liderëve politikë do të ketë edhe pika argëtuese.

Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se kanë pa një gatishmëri të madhe të pjesëmarrësve në këtë manifestim për të treguar se politikanët e papërgjegjshëm nuk mund të luajnë me vendin.

“Nesër do të jetë manifestimi më madhështor dhe i siguroj qytetarët se nuk do te ketë dhunë”

“Pushteti po mundohet te ndjell frike tek qytetaret. Se do të ketë dhunë”, ka thënë Lekaj.

E Bilall Sherifi, përfaqësues nga Nisma, ka thënë se me këtë organizim, për të cilin po pretendojnë se do të jetë i madh, kanë dashur t’i tregojnë qeverisë se e kanë edhe mbështetjen e popullit, pas akuzave që u janë bërë se populli nuk po i përkrahë. /lajmi.net

YouTube player