Opozita lë ratifikimin e MSA-së në dorë të Listës Serbe

Tri partitë e bllokut opozitar VV, AAK dhe Nisma, kanë vendosur të bojkotojnë seancën e Kuvendit të Kosovës ku do të ratifikohet Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e nënshkruar ditë më parë me Bashkimin Evropian.

Lajme

02/11/2015 07:57

Ratifikimi i kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës, kërkon 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit. Me bojkotimin e deputetëve të opozitës dhe eventualisht edhe të atyre të Listës Serbe, kjo marrëveshje tejet e rëndësishme për Kosovën, e nënshkruar me BE-në, rrezikon të dështoj të ratifikohet sot në Kuvend.

Kuvendi ka thirrur për sot seancë plenare me të vetmen pikë të rendit të ditës: “Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës në njërën anë, dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, në anën tjetër”.

Partitë opozitare, të cilat tashmë një kohë më të gjatë janë duke bojkotuar dhe penguar mbajtjen e seancave të Kuvendit, me kërkesën për anulimin e marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi, kanë paralajmëruar bojkotim edhe të kësaj mbledhjeje.

Ndërkohë, kryetari i Parlamentit Kadri Veseli, me një letër të hapur, mbrëmë ka thirrur Vetëvendosjen, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën, që të marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për shtetin.

Ai u ka bërë thirrje tri subjekteve që, siç ka shkruar, “përkundër dallimeve politike (…), e që janë legjitime në kontekstin e demokracisë”, të japin kontributin e tyre „në ecjen përpara të Republikës së Kosovës“.

Kësaj i është përgjigjur mbrëmë AAK, duke cekur se Veseli “dje i ka mbyllur dyert e Kuvendit për deputetët dhe sot po bën gjoja thirrje për pjesëmarrje në seancë“.

Mbajtja e seancës plenare është caktuar për në orën 10:00, ndërsa paraprakisht, në orën 09:00, rreth Projektligjit për ratifikimin e MSA-së do të debatojë Komisioni parlamentar për Integrime Evropiane. /lajmi.net