Opozita kundër buxhetit

Opozita paralajmëron se do të votojë kundër projekt-buxhetit për vitin 2014. Ata thonë se ky buxhet është buxhet mbijetese dhe jo zhvillimi ekonomik.

Lajme

16/11/2013 09:25

Kur Ministri i Financave, Besim Beqaj, më 31 tetor për herë të parë paraqiti projekt-buxhetin për vitin 2014, në Mbledhjen e Qeverisë, ai e quajti këtë buxhet të mirëqenies dhe të zhvillimit ekonomik.

Si duket opozita mendon ndryshe lidhur me këtë çështje.

Partitë opozitare paralajmërojnë se nuk do të votojë nuk Kuvend projekt-buxhetin për vitin 2014. Sipas tyre ky buxhet nuk është buxhet i zhvillimit ekonomik por është buxhet i mbijetesës, raporton Evropa e Lirë.

Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami tregon se subjekti i saj nuk do ta votojë këtë projekt-buxhet pasi sipas saj janë shkurtuar investimet kapitale dhe ka rritur mjetet për mallra dhe shërbime.

“Nuk do të votojmë sepse premtimet për investime kapitale nuk kanë gjetur zbatim në buxhet, janë premtuar 700 milionë euro investime kapitale, ndërkaq në kornizën buxhetore për tri vitet e ardhshme, janë vetëm 405 milionë euro në 38 komuna”.

“Ata vetëm në gjashtë komuna i kanë premtuar 700 milionë euro”.

“Ndërkaq, për rritje të pagave, siç kanë premtuar, kanë vetëm 48 milionë euro, 18 milionë euro shkojnë për reforma në administratën publike dhe Universitetet e reja që i kanë hapur, 30 milionë mbesin për rritje pagash, që edhe nëse dëshirojnë të rriten pagat në sektorin publik, maksimumi që më mund rrisin pagat është 7 për qind”, tha Hykmete Bajrami për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta votoj këtë projekt-buxhet. Këtë gjë e konfirmoi, shefi i grupit parlamentar Visar Ymeri, i cili e quajti këtë buxhet të varfërisë dhe degradimit.

Shqetësimi i tij është se investimet kryesore kapitale janë në infrastrukturë rrugore dhe jo në sektorin e prodhimtarisë, buqësisë dhe industrisë.

Poashtu Ymeri e sheh si të “papranueshme” ndarjen e fondit për veriun.

“Një çështje tjetër që është e papranueshme për ne për këtë buxhet është edhe vazhdimi i fondit për veriun, i cili duket se do të jetë pjesë e secilit buxhet që sponsorizon qeveria Thaçi”.

 

“Ne jemi absolutisht kundër kësaj ndarjeje të parasë publike në vija etnike dhe politike dhe ndarjes se parasë publike për financimin e strukturave ilegale të Serbisë. Këto janë disa nga arsyet që Lëvizja Vetëvendosje është kategorikisht kundër këtij buxheti”, tha Ymeri.

Haki Shatrit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se vet fakti se investimet kanë rënë 15 për qind, tregon se “ky buxhet shkon kah konsumi e jo nga zhvillimi”.

Ai tregoi se grupi i tij parlamentar mund ta votojë këtë projekt-buxhet, nëse bëhen disa ndryshime që ata do të propozojnë.

“Nuk i prezanton asnjë prioritet zhvillimor ky projekt buxhet. Vetëm përmban ato aspekte që lidhen me mbajtë shërbimin civil dhe strukturat qeveritare në disiplinë, me i lënë të kënaqur me një rritje që realisht mund të ndodh vetëm 8 për qind”.

” Sa i përket zhvillimit përparimit, nuk mundëson as në një mënyrë. E nëse flasim për zvogëlim të papunësisë dhe varfërisë, ato as që përmenden dhe as nuk janë në hartë”, tha Haki Shatri.

Ministri i Financave, Besim Beqaj më parë kishte deklaruar se ky buxhet parasheh rritje ekonomike në pothuajse të gjithë sektorët. Ky buxhet nga ai u quajt buxhet i mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik.

Buxheti për vitin 2014, parasheh të hyra buxhetore prej 1 miliard e 485 milionë euro, ndërsa shpenzimet arrijnë deri në 1 miliard e 590 milionë euro. (REL)