Opozita kërkon llogari nga Qeveria: Përse shtetet mike votuan kundër Kosovës në UNESCO (Video)

Opozita në Kosovë thotë se Qeveria duhet të jep përgjigje, se përse vendet mike të Kosovës e edhe disa që e kanë njohur, votuan kundër pranimit të Kosovës në UNESCO.

Lajme

10/11/2015 13:30

Në një konferencë të përbashkët të tyre, krerët e tri subjekteve opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA për Kosovën, thanë se ky është një debakël i diplomacisë, raporton lajmi.net.

Kreu i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj ka përmendur disa arsye pse Kosova nuk është pranuar në UNESCO. Sipas tij, aty bëjnë pjesë fushata raciste e Serbisë, pastaj dështimi i diplomacisë kosovare si dhe i Qeverisë së Kosovës.

“Aty nuk janë siguruar votat nga vendet që e kanë njohur Kosovën dhe që janë shtete mike, kjo tregon dështimin e institucioneve që nga Presidenca. Sa i përket Serbisë, fushata e saj ka treguar që dialogu duhet të ndërpritet dhe fillimi i tyre të kushtëzohet me njohje të Kosovës”, tha Limaj.

Ndërsa kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë se dialogu me Serbinë i zhvilluar pa kushtëzime, po reflekton në çdo aspekt të jetës.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se ata tash e kanë bërë të qartë se duhet të ndalet kjo qasje e bisedimeve.

“Nga dita e djeshme kërkesa jonë është që përveç marrëveshjeve për Asociacionin dhe Demarkacionin duhet shkuar një hap më përpara, duhet të ndalet kjo qasje e bisedimeve”, tha ai./ lajmi.net

YouTube player