Opozita është dashur të bashkohet më herët

Marrëveshja e arritur të martën në mes LDK-së, AAK-së dhe Nismës, por që gëzon edhe mbështetjen e Vetëvendosjes për formimin e qeverisë së re, për avokatin Azem Vllasi është zhgënjyese.

Lajme

10/06/2014 22:23

Analisti politik dhe avokati Vllasi në emisionin Rubikon të KTV-së tha se do të ishte më parimore sikur këto parti të bënin koalicion parazgjedhor. Por, duke interpretuar Kushtetutën, Vllasi tha se mandatari i Qeverisë është ai subjekt apo koalicion që ka shumicën e dalë nga zgjedjet.

“Unë personalisht jam i habitur dhe i zhgënjyer me këtë marrëveshje.”

“E para, nuk e di pse nuk kanë bërë koalicion parazgjedhor. Derisa kanë pasur vërejtje në qeverisjen e PDK-së, këta si paterica ia kanë dhënë mbështetjen, herë LDK e herë AAK, vetëm Vetëvendosje ka qenë opozitë”.

“Pozicioni më jo aprmor është i LDK-së sepse ata fushatën e kanë bërë duke qëndruar mbi atë se po duan që ta marrin qeverisjen dhe tash bëhet një marrëveshje e LDK, që i ka 26% të votave dhe ia lë postin e kryeministrit një partie që është në vendin e 5-të, me gjithsej 9 për qind të votave të fituara. Pse LDK nuk e mori këtë post, apo po del se Isa Mustafa ka pretenduar që të marrë një pozicion më të rehatshëm sesa posti i kryeministrit”.

“Me pas ditë Thaçi se ju do të bëni kështu, ai ishte ngutur që të bënte koalicion, sigurisht që AAK kishte shkuar me të”, konstatoi Vllasi.

“Nënshkruesit e kësaj marrëveshje nuk kanë bërë shkelje, sepse Kushtetuta thotë se Presidentja duhet të thërrasë subjektin apo koalicionin që e ka shumicën në Kuvend e ky domosdoshmërisht nuk është edhe fituesi i zgjedhjeve”.

Ndërkaq, analisti Belul Beqaj tha se “sedra e ligë” e liderëve opozitarë ka bërë që ata të mos hyjnë në koalicione parazgjedhore.

“Sedra e ligë e liderëve që kanë menduar se pa koalicion parazgjedhor mund të fitojnë na ka sjellë tek ky moment. Sikur të kishte ndodh e kundërta, nuk kishim qenë sot në këtë situatë”.

Ndërkaq, Lutfi Haziri nga LDK tha se kjo marrëveshje e përbashkët është “kthesa” më e madhe që ka bërë LDK. Ai tha se nga të gjitha temat që janë diskutuar sot ka pasur pajtueshmëri.

Duke folur për kërkesat e Vetëvendosjes, ai tha se mbetet të diskutohen, por Haziri i sheh ato si parimore.

“Kërksat e Vetëvendosjes janë parimore, janë të arsyeshme dhe mund të përafrohen qëndrimet tona”, tha ai.

Fisnik Korenica foli për kuptimin e termit sovran dhe për nevojën e mos keqpërdorimit të këtij termi. Sipas tij, sovrani nënkupton shumicën parlamentare e jo partia e cila ka fituar më së shumti vota, por nuk e ka numrin e mjaftueshëm për krijimin e qeverisë.