Opozita edhe sot bojkotoi Kryesinë e Kuvendit (Video)
Partitë e bllokut opozitar, VV-AAK-Nisma, edhe sot kanë bojkotuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të thirrur nga kryetari Kadri Veseli, për të vendosur se kur do të vazhdohet me seancat e Kuvendit.

Lajme
Përfaqësues të tri këtyre paritve, në hollin e Kuvendit, kanë mbajtur një konferencë për media, ku kanë ftuar Qeverinë që të tërheq nënshkrimet nga marrëveshjet për Asociacionin dhe atë për Demarkacionin, raporton lajmi.net.
Ata kanë thënë se vetëm në këtë formë Kuvendi mund t’i kthehet punës normale.
Glauk Konjufca nga VV, ka thënë se “Këta politikanë që aktualisht po vajtojnë për bllokim të Kuvendit, janë përgjegjësit për nivelin e korrupsionit dhe papunësisë në vend”.
Ndërsa, duke folur për mundësinë e futjes së sigurimit dhe të policisë për të zhbllokuar seancat të cilat po pengohen nga opozita, Konjufca tha se kjo do të përshkallëzonte situatën, dhe përgjegjësinë për këtë do ta bartnin vetë ata që do të urdhëronin një gjë të tillë.
Kurse, përfaqësuesja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, tha se opozita, nuk është ajo që po e bllokon Kuvendin, por këtë po e bën pozita. “I bëjmë thirrje Qeverise që të rishqyrtojë marrëvshjet, dhe të tërheqin nënshkrimet”, ka thënë Kadaj – Bujupi. /lajmi.net
