Opozita e Ferizajt kërkon përmbushjen e premtimeve të kryetarit Sfarqa

Gjatë një debati në Kuvendin e Ferizajt, opozita i ka kërkuar kryetarit të Ferizajt, Muharrem Sfarqa, që t'i përmbushë premtimet elektorale. 

Lajme

30/06/2014 18:24

Në seancën e rregullt të Kuvendit, në të cilën u debatua korniza afatmesme buxhetore për vitet 2015- 2017, e ku mungoi propozuesi i saj, kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, opozita i adresoi vërejtjet e saj, duke thënë se në të nuk janë të përfshirë projektet milionëshe të premtuara nga kryetari në sektorin e bujqësisë dhe projekti i kafazit të hekurudhës, raporton KosdovaPress.

Por, kështu nuk kanë menduar edhe përfaqësuesit e koalicionit qeverisës, të cilët kanë vënë në dukje se edhe këto projekte, por edhe shumë të tjera do të jetësohen nga kjo qeverisje. Më i zëshmi në debat ishte Mustafë Grainca, nga grupi kuvendor i PDK-së, i cili veç këtyre dy vërejtjeve adresoi edhe çështjen e draft-planit të Zhvillimit Ekonomik të Komunës, i cili që nga janari nuk është sjellë në Kuvend. Grainca ka shkuar edhe më larg, duke nënvizuar se krejt korniza është kopje e planit të hartuar nga qeverisja e kaluar.

Kryesuesi i Kuvendit, Milazim Haliti ka thënë se mandati i kryetarit zgjat katër vjet dhe se gjatë kësaj periudhe do të implementohet edhe programi i kryetarit.

Korniza afatmesme buxhetore mori dritën jeshile nga Kuvendi, kurse me të parashihen prioritetet në lëmin e zhvillimit ekonomik, në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, mirëqenie sociale dhe shërbime publike.