Opozita: Demarkacioni nuk kalon, metodat janë të njohura

Opozita është e vendosur në kundërshtimin e marrëveshjes për demarkacionin. Sipas tyre Marrëveshja në formën aktuale nuk do të kalojë sepse kështu dëmtohet integriteti territorial i vendit.

Lajme

01/03/2017 14:38

Deputetja nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka thënë se së bashku me AAK-në dhe “Nismën” do t’i bashkërendojnë veprimet.

“Ne do të marrim pjesë në Kuvend nëse Qeveria e sjell këtë marrëveshje në legjislativ. Madje pjesëmarrja jonë nënkupton kundërshtim të së njëjtës me secilën formë”, ka thënë Haxhiu, duke shtuar. “Nuk do të lejojmë të falet territori i Kosovës. Metodat e kundërshtimit mund të jenë të ngjashme me ato që tashmë janë të njohura. Ne do të përpiqemi që në këtë pikë të jemi bashkë me AAK-në dhe “Nismën”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka garantuar që Marrëveshja nuk do të kalojë. “Të gjithë njerëzit që ia duan të mirën këtij vendi i garantojmë se kjo marrëveshje nuk do të bëhet. Kosova dhe territori i saj janë si kurrë më të sigurta, sepse tashmë këtë e ka parasysh edhe sovrani, populli. Kosova së shpejti edhe praktikisht do t’u kthehet qytetarëve të vetë”, ka thënë Lekaj.

Ai ka akuzuar Qeverinë se nuk po kujdeset që të ruajë as sovranitetin e as integritetin territorial. Megjithatë, ka përfunduar duke thënë se besojnë që do ta kalojnë edhe këtë sfidë dhe bashkë me qytetarët do ta bëjnë Kosovën e vërtetë e cila nuk mund të kërcënohet as nga brenda as nga jashtë. /Zeri/