Onkologjia, 190 raste të reja të kancerit për tre muaj

Instituti i Onkologjisë njofton se rastet e reja me kancer janë të njëjta sikur në tremujoret e parë të dy viteve të kaluara.

Lajme

26/04/2015 11:36

Në një komunikatë për media, thuhet se në tre muajt e parë të këtij viti Onkologjia ka ofruar 21,752 shërbime shëndetësore dhe ka pranuar 190 raste të reja me kancer.

“Në këtë tremujor ka pasur 190 raste të reja që janë lajmëruar në këtë institucion shëndetësor, prej tyre 52 tumore të gjirit, 35 tumore të sistemit respirator, 32 tumore të traktit gastroendestinal, 39 tumore të traktit urogjenital dhe tumoret gjinekologjike, 32 tumore të sistemeve te tjera (koka, qafa,lëkura, indet e buta dhe kockave). Gjatë kësaj periudhe janë ofruar 18, 985 shërbime të kimioterapisë, kurse ka pasur 3,667 seanca të radioterapisë”.

Në komunikatë theksohet se shërbimi i kimioterapisë në fillim të vitit është karakterizuar me mungesa të mëdha të citostatikëve, por përmirësimi ka filluar në fillim të shkurtit dhe pastaj ky përmirësim ka vazhduar, derisa në muajin prill ky furnizim mbulon mbi 85-90% të nevojave të pacientëve, krahasuar me buxhetin që ka në dispozicion ky shërbim.

Onkologjia sqaron po ashtu se nuk ka listë të pritjes për kimioterapi, përderisa për radioterapi ekziston lista e planifikimit të rasteve.

“Pas paraqitjes së rastit pacienti më së largu fillon rrezatimet pas tre javësh që është sukses edhe për vendet me shëndetësi më të zhvilluar”, thuhet në komunikatë./KosovaPress/