Olters viziton Vetëvendosjen, bisedohet për arsim

Shefi i zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Jan-Peter Olters, është takuar sot me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, ku kanë folur për mbështetje të projekteve të arsimit. 

Lajme

11/09/2014 19:36

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje pritën sot në takim një delegacion të Bankës Botërore të përfaqësuar nga Jan-Peter Olters, menaxher i Bankës Botërore në Kosovë dhe Flora Kelmendi, zyrtare e lartë e operacioneve në këtë Bankë.

Sipas një njoftimi të VV-së, thuhet se “në takim u diskutua për projektet perspektive të Bankës Botërore për fushën e arsimit parauniversitar në Kosovë, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë në këtë nivel të arsimit në Kosovë dhe të cilat Banka Botërore është e interesuar që t’i përkrahë”.

“Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje shprehën interesimin e tyre për të gjitha projektet e Bankës Botërore që lidhen me fuqizimin e llogaridhënies së institucioneve përgjegjëse për arsimin në Kosovë, rritjen e kapaciteteve menaxhuese të institucioneve arsimore prej nivelit qendror e deri në nivel shkolle, sigurimin e rezultateve objektive me rastin e vlerësimit në testet shtetërore, planifikimin e bazuar në të dhëna, etj”.

Delegacioni i Bankës Botërore u prit në takim nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deputeti Visar Ymeri dhe Jusuf Thaçi ekspert nga Komiteti për arsim.