Oliver Ivanoviq ishte shefi i “Rojeve të Urës”
Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në veri të këtij qyteti, ka vazhduar sot gjykimi kundër liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq dhe katër serbëve të tjerë të akuzuar për krime lufte ndaj popullatës shqiptare gjatë viteve 1999-2000 në veri të Mitrovicës.
Lajme
Dëshmitari Agon Ajeti (1987), i cili aktualisht jeton në Suedi, ka dëshmuar përmes video-linkut, duke thënë se natën e 3 shkurtit të vitit 2000 ka qenë bashkë me anëtarët e familjes së tij në banesën e axhës, Nexhmedin Ajeti.
Sipas tij, atë natë rreth orës 18:30 fillimisht janë dëgjuar zhurma të njerëzve të tubuar përreth ndërtesës dhe brohoritje ‘Serbia – Serbia’.
Më pas, shtoi ai, disa njerëz kanë trokitur në derën e banesës ku ishte ai me familjarët, duke insistuar që të hynë brenda, mirëpo axha i tij nuk e ka hapur derën.
“Ajo natë ka qenë jashtëzakonisht e rëndë dhe tragjike. Serbët pasi kuptuan se nuk po e hapim derën, kanë hedhur granata, janë dëgjuar të shtëna armësh, kanë filluar të digjen mobilet, banesa është mbuluar nga tymi, është ndërprerë rryma dhe çka nuk ka ndodhur atë natë”, tha mes tjerash Ajeti.
Ai tha se si rrjedhojë e tërë asaj që ka ndodhur atë natë, kanë humbur jetën djali i axhës së tij, Nderim Ajeti dhe bashkëshortja e fqiut, Nerimane Xhaka, ndërsa kanë mbetur të plagosur axha i tij, Nexhmedini, pastaj vajza e tij Rrezarta Ajeti, vajza e fqiut Emine Xhaka, si dhe vetë kishte pësuar lëndime në sy dhe veshë.
Dëshmitari Ajeti ka potencuar disa herë se para natës kritike, duke kaluar urën për të shkuar në shkollë, çdo ditë ka parë “rojet e urës” në rroba civile dhe me radiolidhje, të cilët kanë maltretuar dhe kanë rrahur njerëz.
“Kam dëgjuar këta persona të thonë se ‘këtu është Serbi dhe nuk i duam shqiptarët në këtë pjesë’, ndërsa nga biseda që babai zhvillonte me axhën, kam kuptuar se Oliver Ivanoviq ka qenë shef i ‘rojeve të urës’ dhe i gjithçkaje që ndodhte në veri”, tha Ajeti, duke shtuar se selia e këtyre personave ka qenë kafeteria ‘Dolce Vita’ që ndodhet afër urës nga cepi verior.
Në lidhje me katër të akuzuarit e tjerë, Dragolub Delibashiq, Ilia dhe Nebojsha Vujaçiq, si dhe Aleksandar Llazoviq, dëshmitari tha se nuk i njeh dhe nuk i kishte parë më parë.
Avokati i viktimave të luftës, Burhan Maxhuni, deklaroi për KosovaPress se rasti është duke shkuar në procesin e duhur dhe se Oliver Ivanoviq do të dënohet.
“Unë besoj se në bazë të të gjithë dëshmitarëve deri tani ka arsye që Oliveri të qëndrojë këtu në vendin ku ka qenë deri tani”, tha Maxhuni.
Seanca e radhës do të mbahet më 29 qershor.