OKB planifikon hapjen e zyrës në Venezuelë për monitorimin e krizës humanitare

14:14 | 22 Qershor 2019

Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet dhe presidenti aktual në Venezuelë, Nicolas Maduro

OKB po planifikon të hapë një zyrë në Venezuelë për të monitoruar krizën humanitare në vazhdim.

Në fund të një vizite tre-ditore në Venezuelë, komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, tha se kishte caktuar dy delegatë për të këshilluar qeverinë dhe për të monitoruar abuzimet.

Ajo tha se situata e tmerrshme nuk duhet të lejohet të “përkeqësohet më tej”.

Udhëtimi erdhi mes një krize të thellë që ka shkaktuar mungesa e ushqimeve dhe barnave në të gjithë vendin. Grupet e të drejtave thonë se qindra kundërshtarë politikë janë burgosur, ndërsa miliona njerëz kanë ikur jashtë vendit, shkruan DW.

Në një konferencë shtypi në Karakas, Bachelet vlerësoi vendimin e presidentit aktual Nicolas Maduro për të ftuar dy zyrtarë të OKB-së për të qëndruar në Venezuelë, duke shtuar se ajo shpresonte se kjo do të dërgojë në krijimin e një zyre të përhershme atje.

Ajo gjithashtu i bëri thirrje qeverisë që “të lirojë të gjithë ata që janë të ndaluar ose të privuar nga liria për ushtrimin e të drejtave të tyre civile në mënyrë paqësore”.

Njëzet e tetë të burgosur u liruan përpara mbërritjes së Bachelet, por ka edhe pothuajse 690 kundërshtarë politikë pas hekurave, sipas OJQ-së, Foro Penal.