OKB: Për ndalimin e ebolës nevojiten më shumë mjete materiale

16:43 | 6 Nentor 2014

Foto ilustrim

Kreu i misionit të OKB-së, që përpiqet të frenojë sëmundjen e rrezikshme të ebolës në Afrikën perëndimore, ka deklaruar se nuk zotërojnë burimet e nevojshme materiale për të luftuar virusin. 

Tony Banbury pranon se ka pasur kontribute të rëndësishme nga Britania, Kina, Kuba e Shtetet e Bashkuara, por sërish ato nuk mjaftojnë dhe rëndesa e situatës dikton domosdoshmërinë e një ndihme urgjente.

Numri i konfirmuar i vdekjeve tani është mbi 4,800. Të gjitha këto, me përjashtim të 27 jetëve të humbura nga epidemia gjetkë, janë regjistruar në tre vendet e prekura më rëndë: Liberia, Sierra Leone dhe Guinea.

Më herët, zyrtarë amerikanë njoftuan se presidenti Barack Obama do t’i kërkojë Kongresit 6.2 miliardë dollarë për të luftuar ebolën në perëndim të Afrikës dhe për të shmangur përhapjen e saj në Shtetet e Bashkuara.

Deklaratën e tij Banbury e bëri nga selia qendrore e misionit të Kombeve të Bashkuara kundër ebolës në Gana, vend që nuk është prekur nga epidemia.

Në përfundim të turit të tij në rajon, ai tha për BBC se është vështirë të thuhet se përhapja e sëmundjes po ngadalësohet, “pasi tabloja nuk është aspak e qartë”.

“Në kryeqytetin e Liberisë, Monrovia, ka pasur një rënie por nga ana tjetër ka pasur një përshpejtim të përhapjes në qytetet e tjera”, ka thënë Banbury.

Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se nga 4,707 shtretërit në qendrat e trajtimit të pacientëve të infektuar me ebola, vetëm 22 për qind e tyre janë funksionale, duke fajësuar për këtë vonesat në dërgimin e ekipeve mjekësore të huaja. (Top Channel)