OKB kërkon prova që princesha Latifa është gjallë

Kombet e Bashkuara u bënë thirrje Emirateve të Bashkuara Arabe që të sigurojnë “prova konkrete” se princesha Latifa Al Maktoum, vajza e sundimtarit të Dubait, është gjallë.

Bota

20/04/2021 21:00

Në një deklaratë të lëshuar të martën në Gjenevë, ekspertët e të drejtave të njeriut po ashtu thanë se ajo duhet të lirohet “urgjentisht”.

Princesha Latifa ka bërë përpjekje të ikë nga Dubai në vitin 2018.

Në një video të ndarë me BBC-në, ajo ka thënë se komandot e kanë droguar dhe e kanë kthyer në paraburgim.

Familja mbretërore e Dubait ka thënë më herët se princesha Latifa po mbahet “nën kujdes në shtëpi”.

Më 5 mars, Kombet e Bashkuara kanë thënë janë në pritje të detajeve nga Emiratet e Bashkuara Arabe – dy javë pas kërkesës për prova të jetës.

Në deklaratën e së martës, ekspertët e Kombeve të Bashkuara i bënë thirrje edhe një herë Qeverisë së Emirateve të Bashkuara që “të sigurojë informacione pa vonesa” për fatin e princeshës Latifa.

Ata kërkuan “verifikim të pavarur të kushteve nën të cilat mbahet dhe lirimin e saj të menjëhershëm”.

“Deklarata e lëshuar nga autoritetet e Emirateve se ajo është nën kujdes në shtëpi, nuk është e mjaftueshme në këtë fazë”, thanë ekspertët e OKB-së.

Në regjistrimin e marrë nga BBC në muajin shkurt, princesha Latifa ka thënë se ajo po mbahet peng në një “vilë të shndërruar në burg”, pa pasur asnjë qasje në ndihmë mjekësore.

Babai i Latifës, sheiku Mohammed bin Rashid Al Maktoum, është një nga liderët më të pasur në botë, sundimtar i Dubait dhe nënkryetar i Emirateve të Bashkuara Arabe. /REL