OJQ-të dhe LSDM-ja në protestë masive kundër Gjykatës Kushtetuese

Në prag të protestës së paralajmëruar të sektorit civil dhe LSDM-së kundër vendimit të Gjykatës kushtetuese për të shqyrtuar Ligjin për Falje, partitë politike në Maqedoni shkëmbyen akuza të ndërsjella.

Lajme

15/03/2016 19:14

LSDM-ja theksoi se gjykatësit kushtetueses Josifovski dhe Gosheva nuk kanë kredibilitet për të vendosur rreth çështjes së mashtrimit zgjedhor pasi ata janë të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me partinë e Gruevskit dhe përpiqen të mbrojnë krimet zgjedhore të tij.

Për LSDM-në edhe mbështetësit e Gjykatës që vendosën sot tendat përpara ndërtesës së saj janë të shtyrë nga VMRO-ja.

“Tashmë gjithçka është e qartë. VMRO DPMNE edhe në mënyrë faktike e okupoi Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë. VMRO DPMNE-ja në mënyrë dëshpëruese ka nevojë që kjo nismë të rezultojë e suksesshme. Është e qartë që Nikolla Gruevski është i ndërgjegjshëm për krimet e tij dhe krimet e të afërmve të tij, prandaj nuk ka asnjë dyshim se ata janë iniciatorë të veprimeve që ndodhin përpara Gjykatës Kushtetuese”, tha Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.

Por VMRO-ja u kundërpërgjigj se pikërisht LSDM-ja me veprimet e saj ushtron presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.

“LSDM-ja ëndërron për kohën kur brenda një ditë emëruan 617 gjykatës dhe qindra prokurorë. LSDM-ja dëshiron kontroll të plotë ndaj gjykatës dhe nënshtrimin e të gjithë gjykatësve ndaj shefave partiak të saj. “Nga pastruesja deri te ministri” kështu LSDM-ja dëshiron të qeveris në vend, ashtu siç njoftoi lideri i LSDM-së Zoran Zaev. Për partizimin e gjykatës LSDM duhet ta pyes Viktor Gaber respektivisht motrën e tij dhe gjykatëse kushtetuese Natasha Gaber Damjanovska”, njoftojnë ngaVMRO-DPMNE.

Një ditë përpara se gjykatësit kushtetues të japin vendimin final rreth kushtetutshmërisë së Ligjit për falje, organizatat joqeveritare dhe LSDM-ja paralajmëruan protesta masive që pritet të fillojnë në orën 18 përpara qeverisë, për të vijuar përpara kuvendit dhe kulminuar përpara Gjykatës Kushtetuese./Alsat-M/