Oftamologu në Pejë lirohet nga akuza se kishte marrë 150 euro ryshfet për operimin e pacientit
Gjykata Themelorë në Pejë, te enjten, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj oftamologut të Spitalit Rajonal të Pejës, mjekut Orhan Gafurri, i cili akuzohej për veprën penale “marrja e ryshfetit”.
Lajme
Aktgjykimin e ka shpallur kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu, sipas së cilit nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale sipas aktakuzës.
Ndërsa, i dëmtuari Fazli Bajramaj, për realizimin e dëmit të shkaktuar është udhëzuar në kontest civil.
I akuzuari Gafurri, për vepër penale “marrje e ryshfetit”, më 21 nëntor 2016, nga gjykata e shkallës së parë ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht që brenda dy vjetësh të mos kryej ndonjë vepër tjetër penale si dhe me 1.500 euro gjobë.
Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 24 maj 2017, për shkak të ankesës së mbrojtjes, avokatit Gëzim Kollçaku dhe prokurores Gashi, e kishte kthyer rastin në rigjykim dhe rivendosje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Orhan Gafurri, akuzohet se më 2 korrik 2015, rreth orës 09:05, në Spitalin Rajonal, në Pejë, në repartin e syve, si person zyrtar, doktor i oftalmologjisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar përfitim për vete, në mënyrë që të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.
Sipas aktakuzës, me kusht që ta operojë të dëmtuarin Fazli Bajramaj, nga i njëjti ka kërkuar të holla në shumë prej 150 euro./BpDrejtesi/