Të Infektuar: 55.135

Të Shëruar: 48.572

Të Vdekur: 1.399

Oficeri korrektues në Qendrën e paraburgimit pranon që kishte futur drogë në këtë qendër dhe ia kishte dorëzuar njërit të dënuar

15:31 | 14 Janar 2021

Oficeri korrektues në Qendrën e paraburgimit në Prishtinë Ragip Zeneli, ka pranuar fajësinë për keqpërdorim detyre dhe shpërndarje të narkotikut, në seancën fillestare të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Fajësinë në këtë rast e ka pranuar edhe i akuzuari për posedim të narkotikëve Blerim Sinani.

Zeneli po akuzohet se në dhjetor 2020, kishte futur substancë narkotike në këtë qendër dhe ia kishte dorëzuar të akuzuarit Sinani i cili është në vuajtje të dënimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Arian Gashi, dy të akuzuarit janë deklaruar fajtor për veprat penale me të cilat ngarkohen.

“Unë e pranoj fajësinë dhe kërkoj falje për gabimin që kam bërë, i premtoj gjykatës se nuk do të përsëris më veprën”, ka thënë i akuzuari Zeneli.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Zeneli është pajtuar edhe mbrojtësi i tij, avokati Predrag Miljkovic i cili për të mbrojturin e tij ka kërkuar një dënim sa më të butë, një dënim me kusht, pasi sipas avokatit, ai nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore, ishte mbajtës i familjes dhe kishte edhe gjendje të dobët financiare.

Po ashtu, avokati Miljkovic ka kërkuar që të mbrojturit të tij ti ndërpritet edhe masa e paraburgimit, pasi sipas tij kishin pushuar kushtet që i njëjti të mbahet në këtë masë.

Pranimin e fajësisë nga ana e dy të akuzuarve, nuk e ka kundërshtuar edhe prokurori Arian Gashi, pasi sipas tij ky pranim ishte i vullnetshëm dhe gjen mbështetje edhe në prova.

Ai ka kërkuar nga gjykata që më rastin e matjes së dënimit të kihet parasysh pranimin e fajësisë, ndërsa i njëjti nuk e ka kundërshtuar as kërkesën e avokatit Miljkovic për ndërprerjen e masës së paraburgimit.

Pranimin e fajësisë së dy të akuzuarve e ka aprovuar edhe kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dermaku, e cila ka njoftuar se shpallja e aktgjykimi do të bëhet me 18 janar 2021, në ora 13:00, në të cilën ditë do të vendoset edhe për masës e paraburgimit për të akuzuarin Zeneli, shkruan BetimipërDrejtësi

Sipas aktakuzës së përpiluar me 23 dhjetor 2020, i akuzuari Ragip Zeneli në cilësinë e oficerit korrektues në Qendrën e paraburgimit në Prishtinë, në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo tjetrin nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se me 3 dhjetor 2020, Zeneli kishte futur substancë narkotike e llojit marihuanë në Qendrën Korrektuese në Prishtinë, me qëllim që të ndërmjetësoj dhe t’ia dorëzoj të akuzuarit Blerim Sinani i cili gjendej në vuajtje të dënimit në këtë qendër.

Sipas prokurorisë, gjatë kohës së drekës në këtë qendër Zeneli i ishte afruar Sinanit i cili ishte duke e shpërndarë ushqimin, ia kishte dhënë një sasi të narkotikut, por kur kishin vërejtur se sigurimi ishte duke ardhur, i akuzuari Sinani e kishte hedhur narkotikun në kosh të mbeturinave, e cila ishte gjetur dhe sekuestruar nga sigurimi i qendrës.

Pas ekzaminimit të policisë kishte rezultuar se narkotike ishte e llojit marihuanë me peshë 3.59 gram, ndërsa të njëjtën ditë gjatë bastisjes të akuzuarit Sinani në shtëpinë e tij në Graqanicë, policia kishin gjetur një sasi të vogël të marihuanës me peshë 0.18 gram.

Për këto veprime Zeneli po ngarkohet me veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa i akuzuari Sinani për veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëvë, substancave psikotope ose analoge”.