Odegaard: Ja çfarë do t’i bëj Benitezit

Talenti i Real Madridit, Martin Odegaard ka thënë se synon të impresionojë trajnerin e ri Rafael Benitez duke e bindur se e meriton një vend në ekipin e parë.

Sport

20/06/2015 12:07

Martin Odegaard ka insistuar se dëshiron të jetë pjesë e ekipit të parë të Real Madridit në edicionin e ardhshëm.

16-vjeçari spekulohet se mund të huazohet në një skuadër tjetër gjatë afatit kalimtar të verës.

Mirëpo, ai ka theksuar se dëshiron t’i bëjë me dije trajnerit të ri Rafael Benitez se e meriton një vend në Santiago Bernabeu.

“Tani për tani, dua të pushoj dhe të jem me familjen. Pas një muaji, do të kthehem në Madrid, i gatshëm për përgatitjet për sezonin e ri”, deklaroi Odegaard për televizionin norvegjez “TV2”.

“Nuk është se nuk jam duke u stërvitur në Norvegji, por stërvitjet nuk janë të vështira sikurse gjatë sezonit. Gjëja më e rëndësishme është të kënaqeni me veten. Nëse argëtoheni, është e lehtë edhe të stërviteni dhe t’i dëgjoni njerëzit që ju japin këshilla”, përfundoi ai.