Oda Ekonomike Amerikane: Shkelje e marrëveshjes, ndërkombëtarët të reagojnë ndaj Serbisë

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka reaguar sa i përket bllokimit të kalimit të autobusëve me udhëtarë nga Kosova në pikat kufitare serbe. Kjo Odë, thotë se palët ndërkombëtare duhet të merren me këtë çështje sepse janë shkelur me dy këmbë marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nga Kosova dhe Serbia. Reagimi i plotë: Oda Ekonomike Amerikane…

Lajme

17/04/2024 14:59

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka reaguar sa i përket bllokimit të kalimit të autobusëve me udhëtarë nga Kosova në pikat kufitare serbe.

Kjo Odë, thotë se palët ndërkombëtare duhet të merren me këtë çështje sepse janë shkelur me dy këmbë marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nga Kosova dhe Serbia.

Reagimi i plotë:

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me veprimet e fundit të ndërmarra nga autoritetet serbe për të bllokuar lëvizjen e disa autobusëve që transportojnë njerëz nga Kosova për në Evropën Perëndimore. Kjo bllokadë në vendkalimet kufitare ndërmjet Serbisë e Kroacisë dhe Serbisë e Hungarisë, paraqet shkelje të qartë të dispozitave të marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, synojnë promovimin e stabilitetit ndërmjet dy shteteve dhe gjithë rajonit. Në qendër të këtyre marrëveshjeve është parimi i lehtësimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, i cili përbën një vlerë thelbësore në procesin e integrimit evropian. Duke penguar lëvizjen e qytetarëve të Kosovës në destinacionet e tyre të dëshiruara në Evropën Perëndimore, autoritetet serbe jo vetëm që po i minojnë këto marrëveshje por edhe po pengojnë përparimin drejt stabilitetit rajonal dhe integrimit evropian.

Oda Amerikane beson fuqishëm se lëvizja e lirë e njerëzve është thelbësore për nxitjen e rritjes ekonomike, promovimin e shkëmbimit kulturor dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet shteteve, prandaj kufizimet e tilla jo vetëm që pengojnë jetën e individëve, por kanë edhe ndikim negativ në tregtinë, investime dhe aktivitete të biznesit në rajon.

Prandaj, Oda Amerikane i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë fuqishëm nga autoritetet serbe heqjen e menjëhershme të bllokadës dhe lejimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke mundësuar lëvizjen e tyre për në destinacionet e dëshiruara. Gjithashtu, ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Serbisë që të përmbahen nga veprimet e ngjashme në të ardhmen duke respektuar angazhimet e tyre ndaj marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve.

Si përfundim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbetet e përkushtuar që të avokojë për parimet e lëvizjes së lirë, bashkëpunimit rajonal dhe prosperitetit ekonomik në Kosovë dhe në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të gatshëm të punojmë me të gjitha palët e interesuara për të adresuar çdo sfidë dhe pengesë për arritjen e këtyre qëllimeve. /Lajmi.net/