O’Connell i shqetësuar me kërcënimet ndaj prokurorëve

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairí O’Connell, ka shfaqur shqetësimin e tij se korrupsioni i cili ka prekur shumë vende të botës po financon krimin e organizuar dhe terrorizmin në botë.

Lajme

04/10/2018 11:04

O’Connell deklaroi se pushtetarët me integritet të lartë mund të rezistojnë këtij fenomeni dhe te jenë shembull për gjeneratat e reja.

“Korrupsioni ka prekur shumë vende, por ai është shndërruar në financim të krimit të organizuar dhe terrorizimit në botë. Ky është kërcënim global. Pushtetarët me integritet të fortë mund të mbesin të paprekur dhe i rezistojnë këtij fenomeni. Këta pushtetarë duhet të jenë shembull për të rinjtë”.

Ambasadori britanik ka kërkuar nga qeveritë e Ballkanit që të respektojnë zotimet që kanë marrë përsipër në Samitin e Londrës në maj të këtij viti, për luftimin e korrupsionit.

Sipas tij duhet të ndërmerren hapa konkret dhe jo që zotimet të mbesin vetëm në letër, raporton EO.

“Në Samitin e Londrës qeveritë e Ballkanit kanë nënshkruar zotimet për luftë kundër korrupsionit. Është e rëndësisë vitale të mos mbeten në letër, por të ketë hapa konkret. Mirëpres përkrahjen sot nga Presidenti për punën e prokurorëve. Por edhe gjyqtarët kanë përgjegjësinë e tyre. Lufta kundër korrupsionit nuk duhet të mbetet në kufijtë e shteteve, ato duhet të bashkëpunojnë. Le të shërbejë kjo konferencë si përgjigje rajonale ndaj korrupsionit”.