Obligimi Shtetëror në Gjilan
Koalicioni AAK-LDD kërkon votën e gjilanasve, duke premtuar forcim të lidhjeve me Luginën e Preshevës matanë kufirit.
Lajme
Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-Lidhja Demokratike e Dardanisë ka nfilluar fushatën në Gjilan me kritika ndaj pushtetit aktual lokal dhe qendror.
Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj, tha se Gjilani është në një gjendje të keqe dhe se këto zgjedhje i japin fund kësaj epoke.
Gjilani i fortë, sipas Haradinajt, do të ndikojë në forcimin e pozicionit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Ne duhet të jemi të fortë në Gjilan për të pasur mundësi që ta ndihmojmë Luginën. E kemi obligim shtetëror që ta ndihmojmë dhe zhvillojmë Anamoravën dhe Gjilanin. Kosova nëse dëshiron të jetë afër Kosovës Lindore, atëherë duhet ta zhvillojë ekonomikisht Anamoravën dhe në këtë rrafsh çelësi sërish mbetet tek qeverisja”, tha Haradinaj.
Kandidati i këtij koalicioni për Kryetar të Gjilanit, Rexhep Kadriu tha se Hashim Thaçi po vazhdon të luajë me Gjilanin.
“Kësaj radhe, i themi Thaçit se nuk ke çka kërkon në këtë qytet”.
“Kjo qeveri lokale ka luajtur me ndjenjat e qytetarëve të Gjilanit dhe ka bërë eksperimente me ta. Kjo qeveri dhe ky pushtet lokal ka bërë që Gjilani të sillet si mysafir në shtëpinë e vet. Gjilani me Qemajl Mustafën ka stagnuar sepse janë sjellë biznese jashtë Gjilanit e bizneset tona i ka falimentuar”.
Partneri tjetër në këtë koalicion, Kryetari i LDD’së Nexhat Daci tha se nga një lokomotivë e shumë proceseve, Gjilani dhe Anamorava kanë mbetur zorrë qore e Kosovës.
“Gjilanin do ta nxjerrë nga kriza Rexhep Kadriu si Kryetar i ardhshëm i Gjilanit dhe Ramush Haradinaj si Kryeministër i ardhshëm”.
Ahmet Isufi, Nënkryetar i AAK’së, tha se qytetarët e Gjilanit duhet të votojnë për njerëz të ndershëm e të përkushtuar dhe nuk kanë asnjë arsye të votojnë për njerëz që kanë dosje në Gjykata e Prokurori.